Shkup, 29.07.2025 Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, z. Izet Mexhiti, sot nënshkroi 2 marrëveshje në vlerë prej rreth 10.7 milionë euro, përmes së cilave do të sigurohet dhe dorëzohet pajisje e re për menaxhimin e mbeturinave për 18 komuna nga Rajoni Jugperëndimor dhe ai i Pelagonisë, si pjesë e realizimit të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta.

Mexhiti informoi se me këto dy marrëveshje do të përfitojnë komuna si Dibra, Struga, Manastiri, Kërçova, Prilepi, Dollneni dhe shumë komuna rurale të tjera, të cilat do të pajisen me mekanizëm të plotë: kontejnerë, kova, kamionë kompaktorë të specializuar, automjete me skip-lift dhe kamionë kiper – gjithçka e nevojshme për mbledhje, transport dhe depozitimin efikas të mbeturinave, sipas standardeve evropiane.

“Me këtë furnizim të rëndësishëm, që paraqet një hap të madh drejt përvetësimit të standardeve mjedisore evropiane, ne po vazhdojmë realizimin e qëllimit tonë strategjik – ndërtimin e një sistemi rajonal të qëndrueshëm dhe të integruar për menaxhimin e mbeturinave. Falënderoj të gjithë partnerët që sot janë me ne dhe që mbështesin me përkushtim këtë proces”, deklaroi ministri Izet Mexhiti.

Pajisja që do të dorëzohet, në përputhje me kërkesat e komunave, përfshin:

Kova plastike me kapacitet prej 120 litrash,
Kontejnerë metalikë me volum prej 1.1 m³,
Kamionë kompaktorë të specializuar me kapacitet prej 8 dhe 12 m³,
Automjete skip-lift për mbledhjen e mbeturinave, si dhe
Kamionë kiper për transportin e materialeve të mbetjeve.
Ky mekanizëm i ri do të mundësojë mbledhje, transport dhe menaxhim më efikas të mbeturinave, do të kontribuojë për higjienë publike më të mirë dhe mbrojtje më të fortë të mjedisit jetësor. Njëkohësisht, do të përmirësojë kushtet e punës në ndërmarrjet publike komunale dhe do të rrisë qasjen e qytetarëve në shërbime komunale cilësore.

Mbështetja financiare për këtë furnizim është siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me ndihmë shtesë nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe Qeveria e Suedisë përmes Agjencisë SIDA.