Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 goditi verilindjen e Rusisë të mërkurën në mëngjes, duke shkaktuar paralajmërime për cunami në Alaskë, Hawaii, Japoni dhe rajone të tjera përreth Oqeanit Paqësor.

Epiqendra e tërmetit ishte në Gadishullin Kamçatka, ku u raportuan dëme materiale dhe u ndërmorën masa evakuimi.

Ministri rajonal për situatat e emergjencës, Sergei Lebedev, njoftoi se në disa pjesë të rajonit u shënuan valë cunami deri në 4 metra.

Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor bëri të ditur se valë nga 1 deri në 3 metra mbi nivelin e baticës mund të prekin zona bregdetare të Havait, Kilit, Japonisë dhe Ishujve Solomon.

Ndërkohë, në disa pjesë të bregdetit të Rusisë dhe Ekuadorit, mund të shfaqen valë mbi 3 metra.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi një paralajmërim për cunami përgjatë bregut të Paqësorit, duke theksuar se valë deri në 3 metra mund të arrijnë pjesën veriore të vendit.

“Duhet të merren masa urgjente për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës,” thuhej në njoftim. Valët e para priteshin rreth orës 19:00 të së martës, sipas orës lokale.

Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Paralajmërimit për Cunami me seli në Alaskë lëshoi një paralajmërim për pjesë të Ishujve Aleutianë.

Po ashtu, nën kujdes u vendosën edhe pjesë të Bregut Perëndimor të SHBA-së, përfshirë Kaliforninë, Oregonin, Uashingtonin dhe shtetin e Hawaiit.

Në fillim të korrikut, pesë tërmete të forta u regjistruan pranë Kamçatkës, më i fuqishmi me magnitudë 7.4.

Ai ishte 20 kilometra i thellë dhe ndodhi 144 kilometra në lindje të qytetit Petropavlovsk-Kamçatsk, me një popullsi prej rreth 180,000 banorësh.

Kamçatka është një zonë e njohur për aktivitet të lartë sizmik. Më 4 nëntor 1952, një tërmet me magnitudë 9.0 goditi rajonin, duke shkaktuar valë cunami deri në 9.1 metra në Hawaii, ku pati dëme, por jo viktima.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com