Iniciativa qytetare ZERO! ka reaguar lidhur me njoftimin për ndërtimin e një parku përkujtimor publik në hapësirën ku ndodhi tragjedia e spitalit modular në Tetovë, duke e përshëndetur vendimin si hap të rëndësishëm për nderimin e viktimave dhe ruajtjen e kujtesës kolektive informon Tetovasot .

Sipas ZERO!, ky park duhet të jetë vend reflektimi dhe respekti për 14 viktimat, për familjarët që ende kërkojnë drejtësi, dhe për një shoqëri që nuk pranon të harrojë përgjegjësitë institucionale.

Megjithatë, organizata ngre shqetësime lidhur me konferencën për shtyp të mbajtur nga Ministri i Shëndetësisë Fatmir Aliu, Zëvendëskryeministri Besar Fetai dhe Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami – të zhvilluar vetëm dy muaj para zgjedhjeve lokale.

“Nëse ky veprim synon të shfrytëzojë një tragjedi për përfitime elektorale, atëherë kjo do të përbënte një akt të papranueshëm dhe thellësisht të padenjë,” – thuhet në reagimin e ZERO!.

Iniciativa thekson se do ta ndjekë me vëmendje realizimin e parkut, duke kërkuar garanci për përmbajtje serioze dhe larg çdo kalkulimi politik.

“Do të ishte më e ndershme që në vend të defileve para kamerave, të punohet seriozisht për zbardhjen e rastit – dhe jo të bëhen bashkëpunëtorë të heshtur të mosndëshkimit,” – përfundon reagimi.