Manastir, 30.07.2025 Ministria e Mjedisit Jetsësor dhe Planifikimit Hapësinor njoftoi fillimin zyrtar të realizimit të projektit për ndërtimin e stacionit të pastrimit të ujërave të zeza në komunën e Manastirit, një nga projektet kryesore ekologjike në vend.
Projekti përfshin ndërtimin e stacionit të pastrimit, rehabilitimin dhe përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve dhe përmirësimin e plotë të kushteve për menaxhimin e ujërave të zeza urbane.
“Projekti do të sigurojë kushte më të mira sanitare, mbrojtje të lumit Dragor dhe basenit të Vardarit, si dhe mbrojtje të ujërave nëntokësore. Stacioni i pastrimit është projektuar për të shërbyer mbi 110 mijë banorë,” deklaroi zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Izet Mexhiti.
Vlera totale e ndërtimit të stacionit të pastrimit është 21.7 milionë euro, dhe punimet do t’i kryejnë kompanitë Lantania nga Spanja, Stenton Gradba nga Maqedonia, Karkanias nga Greqia, me një kohëzgjatje prej 2 vjetësh. Inspektimin e ndërtimit do ta kryejë kompania Eptisa nga Spanja, me një kontratë vlerë 1.06 milionë euro për periudhën 2025–2028.
Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe qëllimi i përgjithshëm është përmirësimi i infrastrukturës për mbledhjen dhe trajtimin e ujërave komunale të zeza në përputhje me direktivën për trajtimin e ujërave të zeza dhe ligjin nacional.
Mexhiti gjithashtu njoftoi se së shpejti pritet nënshkrimi i kontratës për punimet e rehabilitimit dhe përmirësimit të rrjetit të kanalizimeve në komunën e Manastirit.