Drita do të përballet me FCSB (Steaua Bukuresht) në rrethin e tretë të Ligës së Evropës.

Presidenti kontravers i FCSB-së, Gigi Becali, ka bërë një deklaratë të pazakontë para përballjes me skuadrën kosovare Drita në rrethin e tretë të Ligës së Evropës.

Ai ka lënë të kuptohet se një humbje ndaj ekipit nga Kosova do të ishte e papranueshme për klubin rumun.

“Nëse Kosova (Drita), nga ku është kundërshtari ynë i radhës në Ligën e Evropës na mposhtë, le ta lëmë edhe futbollin. Unë nuk dua ta bëjë këtë, por kështu duhet të jetë. Nuk mendoj se jemi më të dobët se ata (Drita)”, ka thënë Becali pasi FSCB u eliminua nga Shkëndija e Tetovës.

Drita, kampione në fuqi e Kosovës, do të përballet me FCSB-në në një duel me shumë peshë për të dy ekipet. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Rumani, ndërsa ajo e kthimit në Kosovë.

Kujtojmë që FCSB është eliminuar më parë nga një tjetër skuadër shqiptare, Shkëndija e Tetovës, gjë që mund të ketë shtuar ndjeshmërinë e Becalit ndaj përballjeve me ekipe shqiptare nga rajoni.

Skuadra nga Gjilani është duke kaluar një formë të mirë dhe synon të bëjë histori duke u kualifikuar më tej në Ligën e Evropës, derisa eliminimi i FCSB do të thotë se Drita do t’i sigurojë grupet e Ligës së Konferencës dhe do të luaj në Play-Off të Ligës së Evropës.

Pavarësisht deklaratave provokuese, dueli mes FCSB-së dhe Dritës pritet të jetë emocionues dhe me interes të madh për tifozët e futbollit në të dyja vendet.

Dueli i parë zhvillohet të enjten më 7 gusht në Bukuresht, derisa ai i kthimit pas një jave në Prishtinë.