Andrea Stramaccioni, ish-trajneri i Interit dhe aktualisht analist sportiv, ka kryer një akt të jashtëzakonshëm gjatë pushimeve me familjen në Puglia. Ai ka shpëtuar dy vajza të reja, 17 dhe 19 vjeç, nga mbytja në det në Gjirin Sfinale, mes Peschicit dhe Viestes.
Sipas vetë rrëfimit të Stramaccionit për “La Gazzetta dello Sport”, gjithçka ndodhi kur ai pa rojen bregdetare duke kërkuar ndihmë, teksa dy vajzat po luftonin me valët e forta. “U ngrita menjëherë dhe u drejtova drejt ujit. Rojtari nuk mund t’ia dilte vetëm”, tha ai.
Pas përpjekjes së parë të suksesshme për ta nxjerrë vajzën më të madhe në breg, Stramaccioni është kthyer për të ndihmuar edhe vajzën tjetër, e cila tashmë ishte në gjendje të rëndë. “Ajo po më tërhiqte poshtë, ishte e bindur se do të vdiste. Në fund, arrita ta shtyja drejt një zone të sigurt ndërmjet shkëmbinjve, edhe pse vetë u lëndova gjatë shpëtimit”.
Megjithëse vlerësuar si hero, Stramaccioni mbetet modest: “Nuk jam hero. Bëra atë që do të bënte kushdo në vendin tim. Gjëja më e rëndësishme është jeta.”