Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio e përshkroi vendimin e vendeve perëndimore për të njohur Palestinën si “të parëndësishëm” ndërsa pretendon se “Nuk mund të ketë shtet palestinez derisa Izraeli të japë pëlqimin”, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për “Fox Radio”, Rubio duke folur për vendimin e vendeve perëndimore për të njohur Palestinën tha: “Është një hap i parëndësishëm. Për disa është bezdisëse, por është pa lidhje. Nuk ka kuptim”.
Ai thekson mbështetjen e SHBA-së për Izraelin. “Asnjë nga këto vende (që kanë vendosur të njohin Palestinën) nuk kanë aftësi të krijojnë një shtet palestinez. Nuk mund të ketë një shtet palestinez derisa Izraeli të japë pëlqimin”, tha Rubio.
Pasi pretendoi se vendet që kanë vendosur të njohin Palestinën nuk e dinë se ku do të jetë shteti palestinez ose kush do ta qeverisë atë, Rubio tha se “Ky vendim do të japë reagim kundër”.
Ai akuzoi vendet që vendosën të njohin Palestinën për “bashkëpunim me Hamasin”, duke thënë se “Në fund të fundit, pala e Hamasit është pala e shtetit palestinez, pra ju po krijoni një shpërblim për ta”.
Lidhur me njoftimin e Mbretërisë së Bashkuar për njohjen e shtetit palestinez në rast se nuk arrihet armëpushim deri në shtator, Rubio thotë se kjo do të minojë negociatat e armëpushimit ndërsa këtë vendim e cilësoi si “të paaftë”.
Rubio tha se vendet në fjalë kanë ndërmarrë këto hapa për shkak të presioneve të brendshme politike dhe se kjo është në kundërshtim me realitetin në terren.
– Hapat e vendeve perëndimore drejt njohjes së Palestinës
Më 24 qershor, presidenti francez Emmanuel Macron tha se ka vendosur të njohë shtetin e Palestinës dhe do të bënte deklaratë zyrtare për këtë çështje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) në shtator.
Kryeministri kanadez Mark Carney dhe Sekretari i Përhershëm i Shtetit për Punët e Jashtme të Maltës, Christopher Cutajar, njoftuan gjithashtu vendimin e tyre për të njohur Palestinën, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer tha se vendi i tij do ta njihte shtetin e Palestinës në AP-OKB në shtator nëse Izraeli nuk përmbush disa kushte.
Vendet pritet të zyrtarizojnë vendimet e tyre në AP-OKB në shtator.