Deputeti i Alternativës dhe Koalicionit VLEN, Bekim Sali, ka folur për
jetën e tij në një intervistë për emisionin SummerPastel në TV21.
Sali duke ndarë momente nga fëmijëria e tij, ka folur për shprehinë e
punës që ia ka mbjell babai i tij.
“ Jam djali i një familje esnafi. Prindi im ka qenë një zanatli, i cili
për pesëdhjetë vite ka punuar një profesion. Dhe unë si fëmijë i vogël,
aty e kam filluar karrierën e punës dhe e kam fituar shprehinë e punës,
si çirak gjashtëvjeçar në Çarshi të vjetër të Shkupit. Këtë asistim te
babi, apo zanat te babi e kam ushtruar deri në mbarimin e fakultetit.
Kjo nënkupton angazhim fizik me prezencë gjatë gjithë kohës në të gjitha
proceset e përpunimit të reklamave ndriçuese siç i shohim ne gjithandej
sot. Kjo është një profesion që është ushtruar për dyzet vitet e
kaluara. Prej moshës gjashtë vjeçare, sot jam dyzet e shtatë vjet. Dhe
është një profesion i cili frutin e vet real ma ka dhënë si shprehi
pune, apo edhe njohuri ndaj disa natyrave të punës. Ndoshta aso kohe si
fëmijë i cili do të lozë me shokët dhe të bënë aktivitete tjera si të
gjithë të tjerët, më ka mbetur peng se ndoshta nuk mund të jem me
shoqëri. Por, nga kjo prizmë, nga ky moment e kuptoj se vërtetë ka qenë
një investim shumë i shëndosh i babës, i cili me kujdes të madh është
munduar të ma trashëgon një shprehi pune”, ka thënë Sali.
Bekim Sali: Babai më tha ‘Fjalën e çdokujt merre dhe fute në xhep’
Deputeti i Alternativës dhe Koalicionit VLEN, Bekim Sali, ka folur për
jetën e tij në një intervistë për emisionin SummerPastel në TV21.
Sali duke ndarë momente nga fëmijëria e tij, si dhe këshillat që babai
ia ka dhënë në momente të caktuara të jetës.
Sali, ka përmendur fjalën që i ka shërbyer gjatë tërë jetës!
“ Një fjalë të cilën nuk do ta harroj asnjëherë, të cilën, ndoshta në
momentet kur është thënë nuk e kam vlerësuar, thjeshtë si një i ri, çdo
koment që e bëja ndaj diçkaje apo fjalët e dikujt më thonte fjalën e
çdonjërit merre fute në xhep se do të kesh momente kur do të duhet ajo
fjalë. Dhe kjo vërtetë është një aset të cilën në momentet e caktuara
për shkak të hidhërimit, gëzimit rrethanave, presioneve nuk e dëgjojmë
fjalën e një të riu, një fëmije, një më të moshuari i cili në ato
rrethana nuk është pjesë e diskutimit. Mirëpo, ato fjalë kanë ndodh, mua
më ka ndodh në rrethana konkrete që ato fjalë i kam shërbyer si kredi
apo si përvojë e cila ma ka lehtësu një vendim në momentet e caktuara
”, ka thënë Sali.
Bekim Sali: Jam personi më i apolitizuar në skenën politike
Deputeti i Alternativës dhe Koalicionit VLEN, Bekim Sali, ka folur për
jetën e tij në një intervistë për emisionin SummerPastel në TV21.
Sali ka folur për pikëpamjet e tij mbi politikën dhe kyçje në politikë.
Sali ka sqaruar se ndoshta është personi më i apolitizuar në skenën
politike.
“ Unë, në takime të përditshme, me miq, me dashamir, me njerëz të cilët
i njoftoj, shpesh e them ndoshta jam personi më i apolitizuar në skenën
politike. Edhe pse i përkas një partie politike, një koalicioni të
sotëm, një shumice e cila po qeverisë me qeveri aktuale në vendin tonë.
Ende e konsideroj veten se nuk jam i politizuar aq shumë. Edhe pse kanë
kaluar njëmbëdhjetë vite që jam aktiv në politikë. Deri në momentin e
vendimit për t`u marr me politikë unë kam pasur një aversion për
politikën, jo për politikanët. Për arsye se është shumë e vështirë të
mbetesh vetvetja. Aty ku duhet çdo ditë të bëni nga dy tre kompromise
për të gjetur gjuhë të përbashkët, qoftë ajo për një vendim, për një
ligj, për një koalicion, për një bashkëpunim, për të ftuar miq që të
kyçen në politikë dhe të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes së
përgjithshme për banorët e këtij vendi. Duhet të gjeni kompromise në
vazhdimësi. Nuk mund të ndaleni. Dhe e kam pasur një bindje se këto
persona të cilët bëjnë shumë kompromise, pas një kohe e humbin
identitetin e tyre dhe nuk janë më vetvetja. Prandaj shpesh për
politikanët thuhet në opinion ka qenë kështu, sot është kështu. Edhe kjo
ka qenë një sfidë për mua. E mendoja a mund të futesh në politikë, të
bësh kompromise shumë dhe të mbetesh vetvetja. Mos të ndryshosh nga
vlerat e tua, nga identiteti yt, nga pikëpamja që të tjerët e kanë ndaj
teje. Atë vlerësim e japin të tjerët”, ka thënë Sali.