Aliu: Po punojmë intensivisht në një strategji kombëtare për transformimin digjital në shëndetësi – po e përmirësojmë sistemin Termini im me module të reja

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, gjatë një interviste në lajmet e Kanal 5 theksoi rëndësinë e investimit në tre shtyllat themelore – infrastrukturë, staf profesional dhe digjitalizim, me fokus të veçantë në përmirësimin e sistemit kombëtar elektronik Termini im.
Termini im, deri më tani ka shërbyer vetëm si një mjet për caktimin e termineve, por tani nuk është më kështu, tashmë janë krijuar disa module të reja dhe do të vazhdojmë me përmirësimin e tyre. Ideja është që Termini im të integrojë të gjitha proceset ekzistuese dhe të krijojë edhe të reja. Qasja do të jetë hap pas hapi, prandaj në njërën nga mbledhjet e Qeverisë kemi miratuar strategjinë kombëtare për transformimin digjital të shëndetësisë.Ky udhërrëfyes është tashmë i përcaktuar dhe aktualisht po bëjmë hartëzimin dhe vlerësimin e të gjithë infrastrukturës në vend. Kemi kërkuar nga të gjithë drejtorët një përshkrim të infrastrukturës, të nevojave në aspektin e kapaciteteve njerëzore dhe teknologjisë. Pas kësaj, synojmë që transparenca në sistemin shëndetësor të jetë në nivelin e duhur, sepse ajo besueshmëri është jashtëzakonisht e rëndësishme,” theksoi ministri Aliu.