Raporti i fundit i revizionit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore është një aktakuzë morale dhe politike për mënyrën se si BDI dhe drejtuesit e saj kanë keqmenaxhuar institucionet publike.

Faton Ahmeti, që gjatë kohës së revizionit ishte drejtor i Fondit dhe sot mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm të BDI-së, është simbol i këtij keqmenaxhimi të pandëshkuar.

Me mbi 5 milionë euro të shpenzuara pa kontroll për trajtime jashtë vendit, me dhjetëra padi gjyqësore brenda dhe jashtë shtetit, me mungesë totale të sistemit të integruar për receta dhe shërbime shëndetësore, dhe me një rrjet të brishtë informatik që dështoi nën sulme kibernetike, Fondi i Shëndetësisë është shembulli më i qartë i shndërrimit të një institucioni vital në një çerdhe kaosi nga qeverisja e BDI-së.

Kjo ka qenë fytyra e vërtetë e qeverisjes së BDI-së: klienteliste, arrogante dhe e papërgjegjshme.
Raporti i revizionit konfirmon atë që qytetarët e kanë ndjerë në lëkurën e tyre: paratë publike janë abuzuar, sistemet jetike janë shkatërruar, dhe institucionet janë kthyer në plaçkë për emra të lidhur politikisht.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë: Kush do të japë llogari për këtë dështim?
Dhe si është e mundur që një njeri që ka lënë pas një katastrofë të tillë, sot vazhdon të jetë figura qendrore e një partie?

VLEN do të kërkojë përgjegjësi të plotë për çdo denarë të shpenzuar, për çdo institucion të dëmtuar dhe për çdo zyrtar të promovuar mbi kurrizin e qytetarëve.