Davide Pecorelli, ish-arbitri dhe biznesmeni italian, i cili ndodhet i burgosur në burgun 313 në Tiranë që nga 8 maji i vitit të kaluar, ka vendosur të ndërpresë grevën e urisë që kishte nisur më 16 korrik.

Gjatë kësaj kohe ai thotë ka humbur 6 kilogramë, ndërsa arsyeja kryesore e grevës ishte mungesa e mundësisë për të paraqitur ankesë për shkak të vonesës së dorëzimit të motivimit të vendimit të Gjykatës së Apelit.

Situata e Pecorellit u përmirësua më 31 korrik, kur Gjykata e Apelit në Shqipëri publikoi motivet e vendimit të dënimit, duke i mundësuar atij dhe avokatëve të tij të paraqesin ankim.

“Deri më tani, unë, së bashku me avokatët e mi italianë dhe shqiptarë, nuk kemi mundur të apelojmë për shkak të mungesës së arsyeve për dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkodrës”, thotë Pecorelli.

Pecorelli është dënuar me 4 vjet burg për akuza si mashtrim, zjarrvënie me dashje dhe kalim ilegal të kufirit shtetëror.

Gjatë kohës në burg, ish-arbitri ka denoncuar kushtet e rënda të qëndrimit në qeli, ku ndan një hapësirë prej vetëm 16 metrash katrorë me tetë persona të tjerë, mungesën e ujit të rrjedhshëm dhe praninë e minjve.

Në një bisedë telefonike për mediat italiane, Pecorelli tha se po mban “marrëdhënie të mira me të burgosurit e tjerë, madje gatuan për ta çdo mbrëmje”.

Ai shprehet i shpresëplotë për të ardhmen, ndërsa pret seanca e radhës gjyqësore që është caktuar më 18 shtator.

Historia e Pecorellit ka marrë vëmendje të madhe pasi në janar të vitit 2021 ai inskenoi vdekjen e tij duke djegur një makinë me qira në një fshat shqiptar dhe u zhduk, derisa u gjet në një gomone pranë ishullit të Montekristos në shtator të atij viti, në një aventurë që sipas tij kishte për qëllim gjetjen e një thesari.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com