Ai theksoi se ishte domethënëse që kjo thirrje u bë pikërisht sot, më 13 gusht, sepse në këtë datë në vitin 1961 nisi ndërtimi i Murit të Berlinit.

“Pra, tani, 64 vjet më vonë, e dimë që ai ishte një simbol i ndarjes evropiane, i ndarjes gjermane – dhe ne ia dolëm ta kapërcenim këtë ndarje”, tha Merz. Por, lufta e Rusisë në Ukrainë ka “hapur sërish plagët e ndarjes evropiane”.

Ai vijoi duke thënë se Trump do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në Alaskë të premten, ku “mund të merren vendime të rëndësishme”.

“Ne europianët, pra, bëjmë gjithçka që mundemi për të ndikuar që ky takim të shkojë në drejtimin e duhur”, shtoi ai, duke theksuar se shpreson që do të ketë sukses Trumpi.

Duke iu referuar takimit me liderët europianë dhe Trump, që sapo përfundoi, Merz shpjegoi se ata “diskutuan në detaje” rreth çështjeve të ndryshme, dhe se bisedimet do të vijojnë në takimin e Koalicionit të Vullnetit, që pritet të fillojë së shpejti.

Mesazhi për Trump ishte se interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Europës “duhet të garantohen”, dhe ata “ranë dakord” për objektivat e bisedimeve me Putinin.

Ai shtoi se i bënë të qartë Trumpit që Ukraina duhet të jetë pjesë e çdo takimi të ardhshëm, armëpushimi duhet të vijë përpara fillimit të negociatave, njohja e territoreve të pushtuara nga Rusia nuk është në tavolinë, forcat ukrainase duhet të kenë lirinë të mbrojnë vendin e tyre dhe negociatat më të gjera duhet të jenë pjesë e një “strategjie transatlantike”.

Kancelari gjerman deklaroi se Evropa e di që Ukraina “ka nevojë për garanci sigurie” dhe “se ne do të duhet të mbështesim ushtrinë ukrainase për të mbrojtur vendin e tyre”.

Detajet e këtyre garancive nuk u diskutuan sot me Trumpom, por kjo do të duhet të bëhet “sapo të hapet rruga drejt paqes”.