Nën ndikimin e një mase ajrore të lagësht dhe të paqëndrueshme, nesër pasdite pritet të ketë paraqitje lokale të paqëndrueshmërisë me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Të hënën moti do të jetë më i paqëndrueshëm në shumë zona, me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bubullima. Lokalisht proceset do të jenë më intensive, me kushte për stuhi të shoqëruara me reshje më të dendura, erë të fortë dhe paraqitje të izoluar të breshrit.

Sipas informacioneve nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, të martën do të ketë kushte për paraqitje të izoluar të paqëndrueshmërisë, ndërsa nga e mërkura pritet mot kryesisht i qëndrueshëm me rritje të përditshme të temperaturave.

Në Shkup, të hënën moti do të jetë pjesërisht me vranësira, ndërsa pasdite pritet të jetë i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Në disa pjesë të luginës ka kushte për stuhi me erë të fortë dhe paraqitje të izoluar të breshrit.

Nga DPHM apelojnë që në rast të paraqitjes së shkarkimeve elektrike, qytetarët të jenë më të kujdesshëm, të mos qëndrojnë në hapësira të hapura dhe nën pemë të vetmuara.