Maqedonia e Veriut, edhe pas më shumë se 20 proceseve zgjedhore të monitoruara nga OSBE/ODIHR, vazhdon të përballet me të njëjtat kritika për mungesë të standardeve demokratike. Në raportin e fundit theksohet se vendi ende nuk ka zbatuar rekomandimet kyçe që përsëriten nga zgjedhjet në zgjedhje, duke dëshmuar mungesë të vullnetit politik për reforma të thella, shkruan PressOnline.al.

ODIHR thekson se problemet kryesore mbeten presioni mbi administratën, përdorimi i resurseve shtetërore për fushata partiake, financimi jo transparent i partive dhe reklamat e padeklaruara. Poashtu, kapacitetet e dobëta të institucioneve si KSHZ, Komisioni Antikorrupsion dhe Enti i Revizionit nuk garantojnë mbikëqyrje efektive të procesit zgjedhor.

Në vend që të zgjidhin këto mangësi, ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor janë vlerësuar si “kozmetike” dhe pa ndikim real. Nga 36 rekomandime të dhëna pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021, asnjë nuk është zbatuar plotësisht, informon PressOnline.al.

ODIHR paralajmëron se edhe për zgjedhjet e ardhshme do të dërgojë një mision të gjerë monitorues, duke nënvizuar se besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor është ende i ulët, ndërsa klima politike mbetet e tensionuar dhe e polarizuar.