Në fund të shkurtit të këtij viti, Andov u arrestua dhe Gjykata Penale e Shkupit i caktoi masa kujdesi, njësoj si edhe të dyshuarve të tjerë. Sot ai u ul në bankën e të akuzuarve. Akuzohet për punë të pandërgjegjshme në shërbim.
“Gjatë punës sime për tre vjet e gjysmë si drejtor i Burgut të Shkupit, në asnjë rast nuk kam shkelur parimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve. Asnjëherë nuk e kam cenuar sigurinë e Burgut të Shkupit, këtë mund ta them me bindje. Për policinë e burgut mund të theksoj se detyrat i kanë kryer plotësisht siç duhet dhe janë të akuzuar padrejtësisht”, deklaroi i akuzuari Filip Andov.
Seanca e parë gjyqësore e planifikuar për sot u shty, pasi një pjesë e mbrojtjes kërkoi kohë për të shqyrtuar provat e reja të paraqitura nga disa prej të akuzuarve. Avokati i Andovit tha se ai do të deklarohet për fajësinë në seancën e ardhshme.
“E patë se jemi në fillim të procedurës, prandaj nuk do të hynim në më shumë detaje për momentin. Presim që në seancën e ardhshme të deklarohen të akuzuarit nëse ndihen fajtorë ose jo, dhe më pas të fillojë procedura e administrimit të provave. Para gjykatës do t’i paraqesim provat tona dhe do të shihen provat e prokurorisë, duke e lënë gjykatën të vlerësojë këtë kontradiktë”, deklaroi avokati Stojan Anxheleski.
Procedura për këtë rast fillimisht ishte hapur kundër dhjetë të dyshuarve, prej të cilëve për dy u mor vendim për hedhjen poshtë të kallëzimit për mungesë provash. Aktakuza u ngrit në fillim të korrikut.
“Sipas Prokurorisë, të dyshuarit në periudhën nga marsi deri në korrik 2024, me dashje kanë kryer disa veprime të ndërlidhura gjatë ushtrimit të autorizimeve të tyre, duke u dhënë përfitime pesë të dënuarve që, sipas vendimeve gjyqësore, nuk u takonin. Ata u lejuan të dënuarve të dërgoheshin në shtëpitë e tyre dhe në vende të tjera për nevoja private, në kundërshtim me procedurën për shoqërimin e personave të privuar nga liria jashtë institucionit”, kishte njoftuar atëherë Prokuroria.
Aksioni policor në burgun e Shutkës pasoi pas kontrollit të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, e cila kishte konstatuar keqpërdorime në menaxhimin e institucioneve të burgut.
Seanca e radhës për këtë rast, në të cilin përveç Filip Andovit të akuzuar janë edhe shtatë punonjës policorë, është caktuar për më 23 shtator.