Urim Saliu kryeredaktor i Tetovasot
Kur funksionarë të pushtetit apo drejtues institucionesh përpiqen të zënë frymën e fjalës së lirë, atëherë demokracia dhe mendimi ndryshe kanë marrë fund. Sistemet totalitare gjithmonë kanë përdorur shtypjen e kritikës si armën e tyre më të fortë, duke goditur këdo që ua zbulon abuzimet apo të zezat.
Një pushtetar që ka ndërgjegjen e pastër nuk ka pse t’i çojë çështjet në gjykata apo polici – aq më tepër kur të gjithë e dimë se si funksionojnë ato. Mediat kanë rolin parësor për t’i zbuluar dhe ekspozuar ata që abuzojnë me pushtetin dhe institucionet publike. Kur hapësira e tyre zvogëlohet, pushteti bëhet nervoz dhe shpesh përdor kërcënimin si mjet për të krijuar frikë, që e vërteta të mos dalë në dritë.
Kur ke veshur petkun e politikës, je protagonist i jetës publike dhe duhet të përballesh me përgjegjësi. Nëse pushtetari tregohet i irrituar dhe i frikësuar nga kritika, kjo është shenjë e qartë se fundi i tij është afër. Siç thotë një poet shqiptar: kur dhuna bëhet ligj, liria është pranë.
Liria është fituar me gjak dhe sakrifica, ndaj mediat kanë detyrë t’ua tregojnë vendin politikanëve abuzues, që asnjë tjetër nesër të mos guxojë të keqpërdorë paratë e qytetarëve dhe institucionet e shtetit. Politikanët që ndihen të rrezikuar nga e vërteta, kthehen në rrezik për shoqërinë. Dhe meqë zgjedhjet janë afër, qytetarët duhet t’i ndëshkojnë me votë këto figura që duan të disiplinojnë mediat me gjykata dhe polici.