“Shporta shkollore” po vijon dhe për momentin nuk ka shkelje të kësaj mase qeveritare, kështu tha kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski i cili shtoi se edhe inspektoriati është në terren për të kontrolluar vendet ku shiten pajisje shkollore.

“Qeveria në mbledhjen më 5 gusht miratoi vendim me të cilin siguroi ulje së bashku me tregtarët dhe furnizuesit e pajisjeve shkollore prej 10 deri në 15% të marzhës, në varësi nëse është me shumicë apo pakicë, ndërsa si referencë merret çmimi i datës 1 qershor të vitit 2025. Detyra e tregtarëve është të shënojnë se cili ka qenë çmimi më 1 qershor të vitit 2025 dhe mbi atë bazë të aplikojnë zbritjen prej 10 deri në 15 për qind dhe në hyrje të shitores të vendosin mbishkrim ku shkruan ‘Më pak shpenzime, më shumë për qytetarët’. ISHT është në terren dhe vëzhgon nëse respektohet dhe deri tani nuk kemi vërejtur shkelje objektive të asaj për të cilën kemi rënë dakord”, theksoi kryeministri Mickoski.

“Shporta shkollore” ka hyrë në fuqi më 15 gusht dhe do të zgjat deri më 15 shtator dhe është parashikuar të jetë lehtësim për buxhetin familjar të prindërve që kanë fëmijë që shkojnë në shkollë. Shporta garanton çmime më të ulta deri në 15 për qind për pajisjet shkollore.