Lëvizja Arbëria me vendosmëri refuzon deklaratat e ministrit të Drejtësisë nga ZNAM, Filkov, i cili kërkon rishikimin dhe zhbërjen e parimit të Badenterit. Ky qëndrim është i rrezikshëm, antikushtetues dhe përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit. ZNAM, kjo relike e ish-Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe hije e sotme e Serbisë, duhet ta dijë se këtu nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje të zakonshme politike. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje me garanci ndërkombëtare.
Ajo është dokumenti që ndali luftën dhe themeli mbi të cilin u ngrit paqja dhe stabiliteti në Maqedoninë e Veriut. Sot, falë SHBA-së, kjo marrëveshje është e konsoliduar dhe e betonuar si një interes strategjik amerikan. Parimi i Badenterit është një prej shtyllave më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje. Ai nuk guxon të preket, përkundrazi, duhet të zgjerohet. Zgjerimi i Badenterit është domosdoshmëri, sepse vetëm kështu mund të garantohet barazia reale dhe përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.
Ky parim duhet të zgjerohet në Kuvend, të zbatohet edhe në Qeveri, në institucionet publike dhe në organet kyçe të shtetit, si Gjykata Kushtetuese, Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve, Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe kudo tjetër ku vendosen politika dhe ligje dhe ku merren vendime që prekin jetën e qytetarëve. Vetëm kështu Marrëveshja e Ohrit mund të bëhet realitet i prekshëm, jo thjesht një dokument. Kush punon kundër Marrëveshjes së Ohrit, punon kundër Amerikës, kundër stabilitetit ndërkombëtar dhe kundër ardhmërisë së vendit. Lëvizja Arbëria e thotë qartë: Marrëveshja e Ohrit është vija e kuqe. Kushdo që tenton ta prekë, hap dyert e krizës dhe minon paqen, duke rrezikuar të shndërrojë dhe të zhbëjë vendin në copëza.