Kabineti izraelit miratoi planin për pushtimin e qytetit të Gazës në takimin e së enjtes, tha sot ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, transmeton Anadolu.

“Ne miratuam planet e IDF-së (ushtrisë izraelite) për të mposhtur Hamasin në Gaza, me zjarr intensiv, evakuim të civilëve dhe manovra”, tha Katz në një postim në llogarinë e tij në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

“Portat e ferrit do të hapen për Hamasin nëse nuk pranon kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës, kryesisht lirimin e të gjitha pengjeve dhe çarmatimin”, tha Katz.

“Nëse nuk bien dakord, Gaza (Qyteti), kryeqyteti i Hamasit, do të bëhet Rafah dhe Beit Hanoun”, tha ai.

Plani parashikon detyrimin e gati 1 milion palestinezëve drejt jugut, rrethimin e qytetit dhe kryerjen e bastisjeve tokësore në lagjet e banuara.

Grupi palestinez Hamas tha të hënën se pranoi një propozim nga ndërmjetësit, Egjipti dhe Katari për një armëpushim në Gaza, pa dhënë detaje rreth përmbajtjes së propozimit.