Në kuadër të projektit “Krijimi i një platforme të qëndrueshme për të adresuar padrejtësitë e së kaluarës dhe për të nxitur pajtimin”, i zbatuar nga Integra dhe i bërë i mundur me asistencën e projektit rajonal Mbështetja e BE-së për Ndërtimin e Besimit në Ballkanin Perëndimor, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), kanë nisur provat për shfaqjen teatrale “Sytë e Ujkut”. Me autore, Doruntina Basha dhe regjisor, Kushtrim Koliqi, shfaqja sjell në skenë aktorët e njohur Irena Aliu, Edona Reshitaj, Armend Smajli dhe Albina Krasniqi. Shfaqja trajton një nga temat më të heshtura në shoqërinë e Kosovës së pas konfliktit – stigmatizimin dhe përjashtimin shoqëror të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit dhe fëmijëve të lindur nga këto krime.
Duke përdorur fuqinë emocionale të teatrit, “Sytë e Ujkut” ofron hapësirë për reflektim, dialog dhe vetëdijësim, duke sfiduar narrativat dominuese të konfliktit dhe duke u dhënë zë atyre që shpesh lihen jashtë diskursit publik. Ky projekt artistik është pjesë e misionit afatgjatë të organizatës Integra për ta përdorur artin si mjet angazhimi shoqëror dhe për të sjellë në vëmendje tema që rrallëherë marrin vendin e merituar në jetën publike.
“Angazhimi ynë është të nxjerrim në pah zërat që janë heshtur për shumë kohë. Teatri na mundëson të lidhemi me publikun në një mënyrë thellësisht njerëzore dhe transformuese. Kjo shfaqje është një moment i rëndësishëm në përballjen me stigmat, jo vetëm përmes artit, por edhe përmes krijimit të empatisë dhe solidaritetit në komunitetet tona,” tha regjisori i shfaqjes, Kushtrim Koliqi.
Ekipi artistik përfshin gjithashtu: Kaltrim Balaj (Asistent Regjisor), Njomëza Luci (Kostumografe), Adhurim Grezda (Kompozitor), Mentor Berisha (Skenograf), Skender Latifi (Dizajner i dritave), Leutrim Bajrami (Video), dhe Besart Sllamniku (Dizajni).
Përmbajtja e këtij njoftimi është përgjegjësi vetëm e organizatës Integra dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe as të UNDP-së. Projekti mbështetet gjithashtu nga Fondi për Zhvillim Komunitar, Ambasada e Suedisë në Prishtinë, Rockefeller Brothers Fund dhe Pro Peace – Kosova.