Tiranë, 13 shtator 2025 – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria do të hapë edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, gjatë një ceremonie që do të mbahet më 16 shtator në Danimarkë, nën presidencën daneze të BE-së.
Në prani të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, Shqipëria do të zgjerojë procesin negociator, duke e çuar në 28 numrin e kapitujve të hapur brenda vetëm 11 muajve – një ritëm që kryeministri e cilësoi si “rekord absolut në historinë e zgjerimit të BE-së”.
Kapitujt e rinj lidhen me Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjen e Qëndrueshme, duke përfshirë fusha të rëndësishme si transporti, energjia, rrjetet transeuropiane dhe mjedisi.
“Një tjetër gur kilometrik u vendos në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE,” shkroi Rama, duke theksuar se vendi ynë është në rrugë të sigurt drejt integrimit europian.