James Rubin po vazhdon dëshminë në Hagë dhe tashmë po deklarohet për Konferencën e Rambujesë.

Ai tha se gjatë konferencës, Thaçi i shprehu shqetësimet e tij se nuk kishte autoritet të plotë për të nënshkruar marrëveshjen në emër të UÇK-së.

Rubin tregoi se sekretarja Albright i kishte thënë Thaçit se lidershipi duhet të marrë vendime të vështira dhe se pa pranimin e tyre nuk do të kishte mbështetje nga Perëndimi.

“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo”, shtoi Rubin, duke shpjeguar se ish-presidenti ishte nën presion nga komandantët e UÇK-së dhe nga financuesit evropianë.

Rubin përmendi se qëllimi i negociatave ishte të gjendej një kompromis që të mund të vazhdohej në fazën tjetër, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.

Por për Thaçin, tha Rubin, nënshkrimi i ndonjë deklarate që s’e specifikonte pavarësinë, do të konsiderohej tradhti.

“Ne nuk kishim ende ndonjë qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Neve na duhej një kompromis që të kalonim në fazën tjetër”, tha Rubin.

“Thaçi kishte rol politik, por jo kompetenca. Atij i kishin thënë se nëse nuk e përmend pavarësinë, do të ishte tradhtar”, shtoi ai, raporton REL. /Klankosova.tv

Mgid