Osmani priti në takim kryesuesen e OSBE-së, Elina Valtonen – theksohet bashkëpunimi për reforma dhe të drejtat e njeriut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, njëkohësisht Kryesuese të OSBE-së, znj. Elina Valtonen.
Sipas njoftimit për media gjatë takimit, Osmani e falënderoi Finlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset e shtetndërtimit, demokratizimit dhe forcimit të institucioneve.
“Në cilësinë e kryesueses së OSBE-së, znj. Valtonen u informua nga Presidentja Osmani mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e institucioneve ndaj paqes dhe stabilitetit si dhe zbatimin e rendit dhe ligjit”, thuhet në njoftim.
Siç bëhet e ditur në njoftim Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/