Gjermania të martën dënoi ofensivën ushtarake të Izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës dhe paralajmëroi se çdo plan për të aneksuar territoret palestineze do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha në një konferencë për media në Berlin se Gjermania është thellësisht e shqetësuar për zhvillimet e fundit dhe kundërshton fuqimisht vendimin e qeverisë izraelite për të nisur ofensivë të madhe tokësore që shënjestron qytetin e Gazës.

“Ofensiva e rinovuar drejt qytetit të Gazës është plotësisht rruga e gabuar në këtë drejtim. Ne e hedhim poshtë këtë dhe ia kemi bërë të qartë qeverisë izraelite”, u tha Wadephul gazetarëve. Ai përsëriti thirrjen e tij për Izraelin dhe aktorët rajonalë që të ndjekin negociatat për armëpushim dhe të arrijnë marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Kryediplomati gjerman theksoi se Berlini do ta rivlerësojë vazhdimisht situatën nën dritën e zhvillimeve të mëtejshme në Rripin e Gazës dhe mbi përpjekjet e mundshme të aneksimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli.

“Qëndrimi ynë për të dyja rastet është shumë i qartë. Aneksimet janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe do të kërkonin përgjigje politike nga ne”, tha ai.

I pyetur lidhur me raportin historik të së martës të një komisioni të pavarur të OKB-së, i cili arriti në përfundimin se autoritetet izraelite kryen gjenocid në Gaza, Wadephul u përgjigj me kujdes, duke thënë se Gjermania do të priste vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për këtë çështje.

“Çështjet e ngritura në raport janë aktualisht objekt i procedurave para gjykatave ndërkombëtare. Dhe për këtë arsye, si përfaqësues i degës ekzekutive, them se i takon gjykatës të vendosë për akuzat”, tha ai, por i quajti incidentet e përshkruara në raport jashtëzakonisht shqetësuese.

“Në konfliktet e armatosura, të gjitha palët janë të detyruara nga e drejta ndërkombëtare humanitare. Për t’i dhënë fund vuajtjeve në Gaza, është thelbësore, nga perspektiva jonë dhe ne e kemi theksuar vazhdimisht këtë që më në fund të arrihet një armëpushim, që popullsia të marrë ndihmë të mjaftueshme humanitare dhe që pengjet të lirohen”, tha ai.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com