Sot duam të ndajmë një të vërtetë që çdo shqiptar e ka kuptuar prej kohësh: VLEN nuk është parti e pavarur politike, por një instrument në shërbim të VMRO-së.

Arsyeja pse VMRO nuk nxjerr kandidatët e vet në komunat me shumicë shqiptare është e qartë: kandidatët e saj tashmë garojnë nën logon e VLEN-it. Ata nuk kanë legjitimitet shqiptar; janë emisarë të një politike antishqiptare që ka ndryshuar kostumin, por jo qëllimin – të rikthejë shqiptarët në periudhën para vitit 2001.

Sot, kjo qeveri, në pak më shumë se një vit, ka:

e çuar në zero punësimin e shqiptarëve në administratën shtetërore;

iniciuar shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe;

hapur idenë e heqjes së votimit me Badinter;

sjellë “botën serbe” me uniforma ushtarake në mes të Shkupit.

VMRO-ja, për çdo politikë të saj në dëm të multietnicitetit, përdor VLEN-in si fasadë. Në çdo komunë ku kandidon VLEN-i, prapa tij fshihet VMRO-ja.

E njëjta gjë vlen edhe për Levicën – një parti që shpesh ka treguar qëndrime më radikale se vetë VMRO. Ky bashkëpunim nuk është thjesht taktikë zgjedhore, por strategji për të kontrolluar shqiptarët dhe për të penguar avancimin tonë politik e kombëtar. Sot, po shohim përpjekje për të relativizuar edhe historinë e lavdishme të vitit 2001 – periudhën e kthesës historike për popullin shqiptar në këtë vend.

Këto politika i ngjajnë praktikave të fundviteve ’80, kur sistemi promovonte të drejta për të gjithë përmes përfaqësuesve pa legjitimitet, veçanërisht për shqiptarët. Epilogun e dimë të gjithë.

Prandaj pyetja është e qartë:
A do të lejoni që shqiptarët të manipulohen nga ata që përfaqësojnë VMRO-në dhe “botën serbe”?

Ne jemi të qartë: shqiptarët nuk i nënshtrohen padronëve të VMRO-së. Ata kanë votën e tyre, dinjitetin e tyre dhe e kanë dëshmuar se nuk shiten.

Kjo qeveri monoetnike, bashkë me fasadën e tyre elektorale të quajtur VLEN, ka vetëm një qëllim: të bllokojë avancimin e shqiptarëve, të relativizojë sakrificat tona dhe të kthejë pas të drejtat tona.

Është e domosdoshme që shqiptarët të jenë të bashkuar, të qartë dhe të vendosur. Vota shqiptare është e lirë, sovrane dhe vendimtare. As VMRO, as Levica, as “bota serbe” nuk vendosin kush i përfaqëson shqiptarët. Vetëm qytetari shqiptar me votën e tij të lirë.

Këtë shqiptarët do ta dëshmojnë fuqishëm më 19 tetor.

— Konferencë për media e deputetes së BDI-së, Rina Ajdari

Mgid