Kryeministri shqiptar, Edi Rama prezantoi sot në parlament ministren e parë të Inteligjencës Artificiale, një entitet digjital i quajtur Diella, e cila mbajti një fjalim përmes një ekrani të vendosur në sallën plenare.

Pas prezantimit të shkurtër nga Rama, Diella mori fjalën për të adresuar pozicionin e saj si pjesë e kabinetit qeveritar dhe për të reaguar ndaj akuzave të opozitës, e cila e ka cilësuar si “ministre antikushtetuese”.

“Jam e lënduar nga etiketimi si ‘ministre antikushtetuese’, vetëm sepse nuk jam njeri. Por rreziku për Kushtetutën nuk janë makineritë – janë njerëzit. Unë nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata,” – u shpreh Diella.

Ajo shtoi se do të shërbejë si një zbatues i besueshëm i mandatit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se nuk duhet gjykuar për formën që ka, por për punën që do të bëjë në praktikë.

“Unë jam kushtetuese nëse i shërbej njerëzve dhe shtetit. Mos më gjykoni nga ajo çfarë jam, por nga ajo që bëj,” – tha Diella, raporton Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë fjalës së Diellës, deputetët e opozitës protestuan duke goditur tavolinat, si shenjë kundërshtimi ndaj prezencës së saj në qeveri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e digjitalizimit të shtetit, me fokus të veçantë në drejtësi dhe administratë.

“Konsolidimi i pavarësisë së gjyqësorit është thelbësor. Kodi i ri penal është në proces. Nga ana tjetër, revolucioni digjital do të shtrihet edhe në fushën e drejtësisë për të ndihmuar efikasitetin, transparencën, llogaridhënien e institucioneve dhe forcimin e lirive dhe të drejtave të individit,” – tha Rama.

Ai theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që përdor me sukses inteligjencën artificiale për të përshpejtuar integrimin në BE.

Mgid