Bujar Osmani: Që nga dita e parë do të bëj një auditim të plotë të brendshëm dhe të jashtëm të financave, dhjetëra mijëra euro shpenzohen në restorante

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, mbrëm dërgoi një mesazh të qartë drejtuar udhëheqjes aktuale të komunës, duke e akuzuar kryetarin e deritanishëm për hipokrizi dhe mosrespektim ndaj banorëve.
“Ky që për 20 vite e ka sjellë komunën në gjendje katastrofale jeton diku tjetër. Tani vjen dhe kërkon edhe katër vite të tjera që ‘të bëhet më mirë’. Nuk mund të kërkojë mbështetje për kryetar komune, ndërkohë që ruan pozitën e ministrit dhe vendbanimin e tij në një komunë tjetër,” deklaroi Osmani.
Ai theksoi se Çairi nuk duhet të jetë opsion rezervë i askujt: “Ne nuk jemi komunë rezervë. Ne nuk jemi plani B i dikujt. O jeton me ne, o largohu. Ashtu siç çdo kandidat jep dorëheqje nga funksioni për të treguar ndershmëri, kështu duhet të ndodhë edhe këtu. Nuk mund të marrësh pagë atje dhe njëkohësisht të kërkosh mbështetjen tonë.”
Në frymën e përgjegjësisë dhe transparencës, Osmani vuri në dukje se ai tashmë është hequr dorë nga përfitimi personal për të treguar përkushtimin e tij ndaj qytetarëve: “Unë mora pushim të papaguar nga klinika. Pse? Sepse më dukej e pandershme të merrja pagë atje dhe njëkohësisht Çairi të ishte ‘plani im rezervë’.”
Osmani edhe një herë e kritikoi administratën komunale për shpenzime joproduktive dhe keqpërdorim të mjeteve publike: “Po shpenzohen tmerrësisht paratë e qytetarëve. Dhjetëra mijëra euro shpenzohen për kafe dhe për ndejën e funksionarëve të partisë. Ato janë paratë tona, ato janë paratë që ua merrni nga buka juaj, nga fëmijët tuaj. Partitë nuk kanë të drejtë të kushtëzojnë me paratë tona.”
Prandaj, siç theksoi ai, masa e parë që do të ndërmarrë si kryetar komune do të jetë ndalja e keqpërdorimeve dhe rikthimi i llogaridhënies publike: “Që nga dita e parë do të fillojmë një auditim të plotë të brendshëm dhe të jashtëm për të ndalur keqpërdorimet dhe shpenzimet e panevojshme. Komuna ka fonde për kryerjen e funksioneve të caktuara, por ato duhet të jenë transparente.”
Me këtë, Osmani e përmbylli mesazhin e tij drejtuar qytetarëve duke kërkuar besim jo vetëm me fjalë, por me shembull personal dhe me vendosmërinë e qartë për t’ia rikthyer nderin dhe kontrollin qytetarëve mbi komunën e tyre.