Komisioni Evropian ka propozuar të premten një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, e 19-ta me radhë, ka konfirmuar zëdhënësja kryesore e komisionit, Paula Pinho.

Detajet u prezantuan në konferencë për shtyp nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.

Një nga vendimet kryesore është ndalimi i importeve të gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga Rusia duke filluar më 1 janar 2027 – një vit më herët sesa ishte planifikuar fillimisht. Kjo shihet si hap i rëndësishëm në drejtim të shkëputjes nga varësia energjetike ndaj Moskës.

Gjithashtu, Von der Leyen ka thënë se sanksionet përfshijnë ndalimin e transaksioneve për bankat dhe institucionet financiare ruse, përfshirë ato që operojnë në vende të treta.

“Ne gjithashtu propozojmë shtimin e operatorëve të mëdhenj ekonomikë që deri tash janë anashkaluar nga sanksionet, kanë dhënë mbështetje për industrinë ushtarake ruse, si dhe sistemin rus të kartave të kreditit dhe sistemin e pagesave të shpejta”, ka thënë ajo.

U propozua edhe ndalimi i investimeve në Zonat Ekonomike Speciale Ruse të lidhura me luftën.

“Dhe ne propozojmë masa të mëtejshme për aktorët kinezë që mbështesin industrinë ushtarake të Rusisë”, vijoi Von der Leyen.

Zëdhënësja për energji e BE-së, Anna-Kaisa Itkonen, ka përmendur vendet që ende importojnë gaz rus në formë të LNG apo përmes gazsjellësve. Ajo ka konfirmuar se tetë shtete anëtare janë ende në këtë grup: Belgjika, Franca, Greqia, Hungaria, Holanda, Portugalia, Sllovakia dhe Spanja.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur rritet presioni nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kritikuar vazhdimisht Bashkimin Evropian dhe vendet e NATO-s për mosheqjen e plotë të importeve të energjisë nga Rusia. Vendimi i sotëm i Komisionit shihet si shenjë se vërejtjet e Trumpit po japin efekt, duke përshpejtuar kursin e BE-së drejt ndarjes nga burimet ruse të energjisë.

Sanksionet duhet të miratohen nga shtetet anëtare.

Mgid