Marrëveshja e pretenduar mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së, e shitur përmes kandidatit të tyre për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski, është mashtrimi më i madh politik që i ofrohet sot shqiptarëve. Premtimet se Ndërmarrjet e Qytetit të Shkupit, si “Higjiena Komunale” dhe “Parqet dhe Gjelbërime”, do të drejtohen nga kuadro të VLEN-it, janë vetëm fasadë për të manipuluar shqiptarët dhe për t’i orientuar që të votojnë binomin e Hristijan Mickoskit në Shkup.

Ky është një veprim i turpshëm, që s’ka tjetër emër përveç tradhti, vasalitet dhe dorëzim përpara partisë më antishqiptare që ka njohur ndonjëherë historia e Maqedonisë së Veriut – VMRO-DPMNE-së.

Aq më tepër, shqiptarët e dinë mirë se sa vlen fjala dhe marrëveshjet politike të VMRO-DPMNE-së. Nga katër pikat e marrëveshjes për krijimin e qeverisë, asnjëra nuk u realizua. Kjo është dëshmia më e qartë se çdo premtim i tyre është mashtrim i radhës. Shqiptarët nuk pranojnë kamuflime parazgjedhore për t’ua marrë votën. Kush orienton votën drejt VMRO-DPMNE-së, nuk është gjë tjetër veçse argat dhe shërbëtor i tyre.

Shqiptarët nuk mashtrohen. Ata e njohin mirë politikën e Mickoskit dhe strategjinë e VMRO-së: degradim, nënshtrim, manipulim, eliminim dhe kapitulim të çdo arritjeje të shqiptarëve si popull shtetformues. Kjo është arsyeja pse shqiptarët nuk kanë dhe nuk do të kenë kurrë votë për VMRO-DPMNE-në dhe për satelitët e saj në kampin shqiptar.

19 tetori është referendum. Shqiptarët do të flasin qartë dhe me një zë: nuk pranojnë nënshtrim ndaj VMRO-së dhe vasalëve të saj.

Fitorja plebishitare e Besëlidhjes – Aleancës Kombëtare për Integrim – AKI, do të jetë vendimtare për orientimin europian, demokratik dhe të barabartë të Maqedonisë së Veriut.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume