Tridhjetë vjet më parë, në Pekin, kombet e botës dhanë betimin solemn: të avancojnë të drejtat e grave si të drejta të njeriut, të arrijnë barazinë gjinore dhe të fuqizojnë çdo grua dhe vajzë që të jetojë e lirë nga dhuna, diskriminimi dhe kufizimet, tha presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, duke iu drejtuar takimit të nivelit të lartë me rastin e 30-vjetorit të Konferencës së katërt botërore të grave, e cila mbahet sot në Nju-Jork në kuadër të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Siljanovska-Davkova, njofton korrespondenti i MIA-s, shtoi se Deklarata dhe Platforma për veprim e Pekinit mbeten gur themeli i së drejtës ndërkombëtare, provë e gjallë se barazia për gratë është edhe drejtësi dhe parakusht për paqe, prosperitet dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Dhe megjithatë, tre dekada më vonë, duhet të pranojmë: progresi është i pabarabartë, i brishtë dhe shumë shpesh i kthyeshëm. Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet e pandëshkuar, femicidi përdhos shenjtërinë e jetës, ndërsa barrierat strukturore ende u mohojnë grave lidershipin, burimet dhe fuqinë vendimmarrëse. Këto nuk janë abstraksione, ato shkaktojnë plagë në familje, shoqëri dhe gjenerata”, tha presidentja Siljanovska-Davkova.
Sipas saj, në të njëjtën kohë, institucioni i krijuar për të mbrojtur paqen – Kombet e Bashkuara, po përballet me krizë të thellë.
“I themeluar si projekti më i madh paqesor i njerëzimit, tani qëndron i ngritur përballë luftërave që shpërthejnë nëpër kontinente”, tha presidentja, duke shtuar se 80 vjet pas themelimit të saj, paqja që paraqet shkaku i ekzistencës (raison d’être) të KB-së, mbetet e parealizuar.
Ajo vlerëson se gratë në botë, së bashku me fëmijët, janë edhe viktimat më të mëdhenj të luftës. Por potencoi edhe se ato janë bartës të shërimit, ngushëllimit dhe shpresës.
“Barazia gjinore nuk është privilegj feminist, por një imperativ humanist. Ne nuk po kërkojmë favore, as matriarkat, por një rend të drejtë, në të cilin talentet dhe kreativiteti i gjysmës së njerëzimit njihen plotësisht për përparimin e politikës, shkencës, shëndetësisë, arsimit dhe paqes”, tha Siljanovska-Davkova.
Sipas saj, Deklarata e Pekinit bën thirrje për sigurimin e të drejtave të barabarta dhe qasjes së barabartë për gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë. Kjo thirrje, siç tha ajo, mbetet urgjente edhe sot.
Siç njofton korrespodentja e MIA-s, tema e takimit është “Përkushtimi i sërishëm, sigurimi i burimeve dhe përshpejtimi i zbatimit të Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për veprim për të arritur barazinë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave”.
Në sesionin plenar, i cili do të zgjasë gjatë gjithë ditës, do të ketë fjalime nga përfaqësues të të gjitha shteteve anëtare të KB-së dhe të gjithë anëtarëve të agjencive të specializuara dhe organizatave dhe subjekteve ndërqeveritare me status vëzhguesi në Asamblenë e Përgjithshme.
Presidentja Siljanovska-Davkova po ashtu do të marrë pjesë në drekën “Women Rise for All”, të organizuar nga zëvendës sekretarja e përgjithshme e KB-së, Amina Mohamed.
Sipas axhendës, Siljanovska-Davkova sot do të marrë pjesë edhe në pritjen për nder të krerëve të delegacioneve nga Evropa Juglindore, të organizuar nga Oda ekonomike amerikano-ballkanike, si dhe në darkën e nivelit të lartë në kuadër të Takimit vjetor të Platformës së grave lidere në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së.
Presidentja Siljanovska-Davkova, gjatë vizitës së saj disaditore në SHBA, do të mbajë fjalim në debatin e përgjithshëm dhe do të marrë pjesë në disa samite, forume lidershipi dhe takime të nivelit të lartë të mbajtura me rastin e Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të KB-së.
Siljanovska-Davkova do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, ndërsa janë planifikuar edhe takime të tjera dypalëshe me udhëheqës botërorë.
Tema e sesionit të këtij viti është “Më mirë së bashku: 80 vjet e më shumë për paqen, zhvillimin dhe të drejtat e njeriut”