Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, zhvilloi sot një takim me Matteo Mecacci, Shefin e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale të OSBE/ODIHR.

Pas takimit, Osmani ka vlerësuar lart punën e ODIHR-it dhe ka shprehur besimin se ky mision do të ndjekë me përpikëri procesin zgjedhor, duke evidentuar çdo keqpërdorim të mundshëm.

“E informova z. Mecacci për tensionet e shtuara në Çair dhe praktikat e palejuara që po përdoren nga kundërshtarët, si frikësimi i votuesve, përpjekjet për ryshfet dhe keqpërdorimi i resurseve publike për fushatë partiake,” tha Osmani.

Ai kërkoi nga ODIHR që të ketë një fokus të veçantë në komunën e Çairit, duke theksuar se, sipas tij, pushteti aktual është i vetëdijshëm për humbjen e mundshme dhe për këtë arsye po përdor mjete jodemokratike.

“Qëllimi ynë është i qartë: zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike dhe transparente, ku zëri i qytetarëve do të jetë i vetmi fitues,” përfundoi Osmani.

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahen në tetor dhe tashmë kanë nisur zhvillime të rëndësishme në disa komuna kyçe, përfshirë edhe Çairin.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume