Shkrim nga Financial Times

Sa e përkushtuar është NATO për mbrojtjen e shteteve baltike? Kjo ishte pyetja që Vladimir Putini po nxiste në mënyrë indirekte, kur avionët luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë javën e kaluar.

Qëndrimi publik i NATO-s është i qartë: aleanca prej 32 vendesh do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj. Ky përkushtim shihet qartë në bazën ushtarake të Tapa-s në Estoni, pranë kufirit me Rusinë. Tapa, që në gjuhën estoneze do të thotë “vras”, dikur ishte një bazë ajrore sovjetike. Sot është baza kryesore e ushtrisë estoneze dhe e një grupi beteje të NATO-s të udhëhequr nga Britania.

Trupat nga Regjimenti Mbretëror i Tankeve sapo kishin mbërritur në Tapa javën e kaluar. Së bashku me një njësi më të vogël franceze, ata kishin një arsenal mbresëlënës në bazë, përfshirë tanke luftarake Challenger 2, sistemin e artilerisë Archer dhe mjete të blinduara Griffon. Trupat britanike, franceze dhe estoneze kanë një strukturë të integruar komande dhe do të hynin në luftë së bashku, në rast të një pushtimi rus të Estonisë.

Trupat në Tapa janë trajnuar për të zmbrapsur një sulm të plotë rus. Por strategët perëndimorë mendojnë se është më e mundshme që Rusia fillimisht të vepronte gradualisht, duke ndërmarrë operacione të vogla dhe të paqarta për të testuar reagimet dhe unitetin e NATO-s. Shkelja e hapësirës ajrore estoneze javën e kaluar përputhet me këtë model, veçanërisht duke qenë se pasoi një hyrje masive të dronëve rusë në Poloni. Disa prej dronëve u rrëzuan nga avionët e NATO-s dhe aleatët që atëherë kanë vendosur më shumë avionë në kufirin lindor.

NATO do të diskutojë këtë javë se si të përgjigjet ndaj shkeljes në Estoni. Disa brenda aleancës argumentojnë se në të ardhmen NATO duhet të rrëzojë avionët rusë që shkelin hapësirën ajrore të aleancës. Por të tjerë, sidomos në SHBA, mendojnë se ky do të ishte një përshkallëzim i rrezikshëm.

Rusia mund të rrisë gradualisht provokimet për të testuar këto ndarje të fshehta brenda NATO-s. Një skenar i diskutuar prej kohësh është hyrja e trupave tokësore ruse në një nga shtetet baltike, ndoshta me justifikimin e mbrojtjes së rusëve etnikë.

Qëllimi përfundimtar i Kremlinit është të tregojë se garancia e sigurisë së ndërsjellë e Nenit 5 të NATO-s nuk vlen. Nëse rusët arrijnë ta bëjnë këtë, atëherë ata mund të përpiqen të godasin një nga një shtetet më të vogla evropiane, pa qenë nevoja të përballen me fuqinë e kombinuar të NATO-s.

Pasiguria rreth reagimit të Uashingtonit është çelësi i hetimeve të Moskës. SHBA-të sigurojnë rreth 40% të kapaciteteve ushtarake të NATO-s në Evropë dhe disa nga aftësitë e saj më të avancuara. Ka gjithashtu trupa amerikane në shtetet baltike. Një njësi artilerie Himars kohët e fundit zhvilloi stërvitje në bazën e Tapa-s dhe një kompani tankesh amerikane pritet të mbërrijë së shpejti.

Por nëse rusët ndonjëherë ndërmarrin një inkursion të madh në Estoni ose një anëtar tjetër të NATO-s, ngrihen pyetje se si do të reagonte Donald Trump. Siç tha javën e kaluar Gabrielius Landsbergis, ish-ministri i jashtëm i Lituanisë: Nëse ka një inkursion dhe një sulm… çfarë mund të presë Putini? Flotën e Gjashtë Amerikane në Baltik apo një telefonatë për t’u takuar në Alaska?

Nën sipërfaqe ekziston një tension real midis administratës Trump dhe aleatëve të saj baltikë. Në Uashington, dëgjohen ankesa për “estonianizimin” e politikës së jashtme evropiane, një referencë për faktin se Kaja Kallas, shefja aktuale e politikës së jashtme të BE-së, është ish-kryeministre e Estonisë. Në disa pjesë të administratës Trump, baltikët shihen si tepër agresivë në qëndrimin e tyre ndaj Putinit. Në një takim të fundit të nivelit të lartë në Pentagon, zyrtarët baltikë u akuzuan si “ideologjikë” në kundërshtimin e tyre ndaj Rusisë.

Dyshimi mes baltikëve dhe SHBA-ve është i ndërsjellë. Në korridoret e ministrisë së jashtme estoneze javën e kaluar, pak jashtë zyrave të zyrtarëve më të lartë, pati një riprodhim të madh të rezultatit të votimit në OKB për Ukrainën nga shkurt 2024, ku SHBA-të votuan në të njëjtën linjë me Rusinë. Mesazhi ishte i qartë: Mos mendoni se Amerika e Trump-it është në anën tonë.

Shtetet më të mëdha evropiane janë shumë më konsistente se administrata Trump në insistimin për të kundërshtuar agresionin rus. Por edhe ato janë shumë të pasigurta për idenë e përballjes me Rusinë pa SHBA-të në krah, kjo shihet në ngurrimin rreth mundësisë për të vendosur një “forcë sigurie” evropiane në Ukrainë pa një “garanci amerikane” prapa saj.

Por, edhe pse NATO përballet me pasiguri, edhe rusët përballen me të njëjtën gjë. Trump është aq i paparashikueshëm, sa që askush nuk mund të parashikojë reagimet e tij në një krizë ndërkombëtare. Shumë analistë mendonin se ai nuk do të autorizonte bombardimin e Iranit. Por ai bëri pikërisht këtë më herët këtë vit.

Edhe nëse Amerika do të qëndronte mënjanë në një krizë në vendet baltike, britanikët, francezët, gjermanët dhe kanadezët kanë trupa atje që janë të përkushtuar për të luftuar. Polonia dhe Finlanda, të dyja shtete të armatosura mire, e dinë që siguria e tyre është e lidhur ngushtë me fatin e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Edhe ato ka gjasa që do të mbronin shtetet baltike.

Do të ishte një bast i rrezikshëm për Putinin të testonte vullnetin e vendeve të NATO-s për të mbrojtur kufirin lindor të aleancës. Fatkeqësisht, siç e kuptoi bota kur forcat ruse avancuan drejt Kievit në vitin 2022, Putini është mëse i aftë të marrë përsipër bastet më të rrezikshme.

Mgid