Urim Saliu
VMRO-ja, duke ia marrë VLEN-it pothuajse gjithçka në bashkëqeverisje dhe duke i shkaktuar humbje të ndjeshme në votat shqiptare, sot sillet sikur mund ta kompensojë këtë me ndihmë në vota maqedonase në zona të caktuara. Nëse do të kishte ekzistuar një koalicion parimor dhe korrekt, VLEN-i nuk do të kishte nevojë të bënte asnjë ditë fushatë – rezultatet dhe mbështetja do të ishin vetvetiu.
Por degradimi i partnerit të koalicionit e ka bërë VLEN-in të mbijetojë vetëm me justifikime politike. Historia e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut e ka treguar qartë: çdo parti shqiptare që lejon të poshtërohet nga partneri maqedonas në pushtet e paguan shtrenjtë këtë çmim politikisht.
Shembujt e së shkuarës dëshmojnë se humbja e dinjitetit politik çon drejt humbjes së elektoratit. VLEN, nëse nuk arrin të rimarrë iniciativën dhe të forcojë pozicionin e vet përballë partnerit maqedonas, rrezikon të përsërisë ciklin e njëjtë që ka shkatërruar më herët subjekte tjera politike shqiptare.