Presidentit Erdogan i fikin mikrofonin teksa fliste për Palestinën në OKB? Mediat turke: Sabotim i qëllimshëm

Mediat turke raportojnë se presidenti Rexhep Tajip Erdogan hasi probleme me mikrofonin gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Konkretisht, teksa presidenti turk po fliste për Palestinën dhe masakrën e dhunën që vazhdojnë me intensitet të pandërprerë në Gaza nga Izraeli, audio u ndal.
Kjo ndërprerje e audios zemëroi median turke, e cila e cilësoi atë “sabotim të qëllimshëm”.
Por më pas në një deklaratë për media reagoi Drejtoria e Komunikimit e Turqisë, duke sqaruar se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, nuk u ndërpre gjatë fjalimit të tij mbi Palestinën, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
“Fjalimeve të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive u jepen 5 minuta, ndërsa folësve të tjerë u jepen 3 minuta”, thuhet në njoftim.
Duke vënë në dukje se, ashtu si me krerët e tjerë të shteteve, limiti i Presidentit Erdogan ishte pesë minuta brenda këtij kuadri, drejtoria tha se “nuk është rasti që Presidentit nuk iu lejua të fliste ose që fjalët e tij u ndërprenë gjatë fjalimit”.
Duke theksuar se ka pasur ndërprerje për shkak të duartrokitjeve në disa momente ndërsa Presidenti Erdogan po fliste, drejtoria tha më tej se mikrofoni u fik automatikisht në fund të minutës së pestë, sipas procedurave teknike.
“Presidenti e përfundoi fjalimin e tij menjëherë pas kësaj. Ngjashëm, mikrofoni i Presidentit të Indonezisë u fik gjithashtu në përputhje me të njëjtën procedurë”, shtohet në deklaratë.