Me ndjenja nostalgjie dhe plot frymëzimi, kandidati i Vlen për kryetar
të komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka ndarë sot një moment të veçantë me
qytetarët duke rikthyer në vëmendje këngën ikonike “Vetëm për ty” të
grupit legjendar Telex.
“Vetëm për ty, mëngjesi agon. Vetëm për ty, hëna ndriçon”, me këto
vargje, që dikur frymëzuan breza të tërë, sot identifikohet Çairi ynë,
komuniteti ynë dhe fitorja që po ndërtojmë bashkë, tha Mexhiti i cili
kishte edhe një takim miqësor me Shpend Ahmetin, një nga anëtarët e
grupit Telex.
Ai vlerësoi këtë këngë si një monument artistik të një kohe të idealeve
dhe shpresës, e cila edhe sot vazhdon të mbajë gjallë emocionet dhe
idealet e një gjenerate që besonte në ndryshim dhe dinjitet.
“Muzika e tyre ishte më shumë se art, ishte zë i lirisë, i dinjitetit, i
krenarisë kombëtare. Ishte dritë për ata që kërkonin shpresë”. Mexhiti
më tej nënvizoi se Telex-i, si shumë grupe tjera të artit që ka nxjerrë
Çairi, janë dëshmi e fuqisë kulturore të komunitetit, e shprehjes
autentike dhe e shpirtit shqiptar që i qëndron kohës.
“Këngët e tyre nuk harrohen, sepse brenda tyre rrjedh një histori e
madhe, një frymë që na bashkon edhe sot. Është shpirti tejkohor i qenies
shqiptare”, shton ai.