Bashkimi Evropian, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjencitë britanike të shëndetësisë e konfirmuan sigurinë e përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë, duke iu kundërvënë një paralajmërimi nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili e lidhi ilaçin e njohur me autizmin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se dëshmitë për një lidhje mes autizmit dhe përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë mbeten jokonsistente dhe bëri thirrje për kujdes në dhënien e konkludimeve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi të hënën e lidhi autizmin me përdorimin e vaksinave në fëmijëri dhe përdorimin e barit Tylenol, emër që në ShBA përdoret për paracetamolin, nga gratë kur janë shtatzëna, duke paraqitur pretendime që nuk janë të mbështetura në dëshmi shkencore.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve tha të martën se nuk ka dëshmi të reja që do të kërkonin ndryshim në rekomandimet e tanishme për përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë.

“Dëshmitë në dispozicion nuk kanë gjetur lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe autizmit” – tha kjo agjenci në një deklaratë, duke shtuar se paracetamoli mund të përdoret gjatë shtatzënisë, kur është e nevojshme, edhe pse në sasinë dhe shpeshtësinë më të vogël që është efikase. Të hënën, rregullatori shëndetësor britanik tha se paracetamoli është i sigurt për t’u përdorur.

“Dëshmitë mbeten jokonsistente” – tha zëdhënësi i OBSh-së, Tarik Jashareviq, në një konferencë për gazetarë në Gjenevë, kur u pyet për një lidhje të mundshme mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe autizmit.

Ai citoi studime të paspecifikuara që jepnin shenjë për një lidhje të mundshme, por tha se një gjë e tillë nuk është vërtetuar nga hulumtimet pasuese.

Mgid