Bujar Osmani e vendosi qartë kornizën e garës zgjedhore në Çair. Këto nuk janë vetëm zgjedhje për një kryetar të ri komune, por për t’u shkëputur nga mentaliteti 20-vjeçar i qeverisjes. Në përgjigjen e tij për pyetjen pse qytetarët duhet të përcaktohen për të, Osmani dha mesazhin se Çairi duhet të dalë nga rrethi i mbyllur në të cilin është i ngujuar prej dekadash.

“E kam thënë edhe gjatë fjalimit tim. Çairit i duhet ndryshim. Çairi ka nevojë për ndryshim. Sepse oferta e kundërshtarit, e cila për 20 vite ka qenë pjesë e problemit të Çairit, nuk mund të jetë zgjidhje,” tha Osmani, duke aluduar për pushtetin aktual dhe kandidatët e tyre si vazhdimësi e status quo-së.

Në këtë drejtim, Osmani ofron një qasje të dyanshme: zgjidhjen e problemeve urgjente që nga dita e parë dhe, paralelisht, zbatimin e një vizioni afatgjatë për komunën.

“Çairit i duhen ide të reja, qasje të reja, energji e re, energji e freskët. Dhe vetëm kjo është parakusht i rëndësishëm për të dalë nga mentaliteti 20-vjeçar i qeverisjes së komunës,” deklaroi ai. Ai paralajmëroi dy strategji që do të përcaktojnë punën e tij si kryetar i ardhshëm komune.

“Prandaj dola me dy strategji. E para është vizioni afatgjatë që e përpilova me ekspertët më të njohur të zhvillimit, vizioni për Çairin 2020. E dyta është menaxhimi urgjent i çështjeve kritike të Çairit,” tha Osmani.

Në kuptim praktik, kjo do të thotë se që nga dita e parë planifikon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si mjet për zgjidhjen e problemeve më të mprehta. Do të formohen shtabe krize për papastërtinë, ndërtimet pa leje, parkingjet, korrupsionin dhe, siç theksoi, të mos harrohet edhe çështja e sigurisë.

Me këtë Osmani paraqet qartë synimin e tij: “do të punoj njëkohësisht me menaxhime urgjente dhe, së dyti, me vizion dhe strategji afatgjatë.”

Mesazhi përmbyllës është kristalisht i qartë. Çairi ka nevojë për njerëz që nuk janë pjesë e krizës së vjetër.

“Çairit i duhet ndryshim dhe i duhet një ofertë që është pjesë e zgjidhjes, e jo 20 vite pjesë e krizës,” përfundoi Osmani.

Mgid