Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot drejtoi një mesazh të fuqishëm për banorët e Çairit, duke theksuar se kandidatura e tij nuk është për përplasje politike, por për përkushtim të sinqertë ndaj çdo qytetari.
„Unë nuk kam hyrë në këtë garë për të bërë përplasje politike. Kam hyrë sinqerisht për t’i shërbyer Çairit,“ tha Bujar Osmani, duke shtuar se vizioni i tij është ndërtimi i një të ardhmeje të përbashkët me të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve politike.
Bujar Osmani theksoi vendosmërinë e tij se pas nëntorit, nëse zgjidhet, do të jetë kryetar komune i çdo banori:
„Pas nëntorit, unë do të jem kryetar i komunës për çdo qytetar të Çairit – si për ata që do të më votojnë, ashtu edhe për ata që nuk do të më votojnë.“
Ai theksoi se kritikën e sheh si nxitje për përmirësim, e jo si kërcënim:
„Qytetarët assesi të mos mendojnë se do të mërzitem nëse më kritikojnë. Përkundrazi, kritika më bën më të mirë, më të përkushtuar,“ tha ai.
Bujar Osmani iu referua edhe problemeve me klubin sportiv dhe simbolet e tifozëve:
„Jam absolutisht i gatshëm të ndihmoj çdo person që ka vullnet ta rikthejë krenarinë e Çairit aty ku i takon, jo vetëm për tifozët, por edhe për të gjithë qytetarët e Çairit,“ përfundoi ai.