Premtimet e bëra para katër viteve nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për përmirësimin e kushteve në Reçicën e Vogël, sipas banorëve, kanë mbetur vetëm fjalë boshe elektorale. Sipas një ankete të realizuar nga portali TS, qytetarët shprehin zhgënjimin e tyre për mungesën e kanalizimeve, rritjen e faturave të mbeturinave dhe futjen e faturës së ujit edhe pse furnizimi me ujë bëhet përmes një rezervuari privat të ndërtuar nga vetë banorët.

“Nuk ka kanalizime, shihni vetë. Kam 40 vjet që kam ndërtuar shtëpinë dhe ende nuk ka kanalizim”, tha një banor.
“Faturat janë rritur, por kryetari aktual ka punuar”, shprehet një tjetër.
Ndërkohë, një tjetër qytetar: “Nuk ka bërë asgjë për Reçicën e Vogël. Ka premtuar shumë, por ka realizuar pak ose hiç.”

Pavarësisht dëshirës për të mbetur anonimë dhe për të mos dalë para kamerave, banorët nuk ngurrojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre për gjendjen aktuale në lagje.

Nga ana tjetër zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, dhe sipas anketave të fundit, Bilall Kasami ka pësuar një rënie të ndjeshme në përkrahje. Arsyet kryesore që përmenden për këtë rënie janë shitja e Monopolit, shitja e parkingjeve publike, kalimi i ndërmarrjes komunale NPK në duar e Saubemacher-it dhe koncesionimi i ndriçimin publik për 15 vite.

Mgid