Të paktën 20 persona u plagosën të mërkurën pasi një dron i nisur nga Jemeni goditi qytetin turistik të Izraelit në Detin e Kuq, Eilat, në kufirin me Jordaninë dhe Egjiptin.

Shërbimi kombëtar i ambulancës izraelite Magen David Adom tha se dy persona u plagosën rëndë, ndërsa të tjerë pësuan lëndime mesatare deri të lehta.

Ushtria izraelite theksoi se një dron i nisur nga Jemeni ra në Eilat, duke shtuar vetëm se u bënë përpjekje “për ta kapur”, shkruajnë mediat e huaja.

Gazeta Israel Hayom, duke cituar një hetim fillestar, tregoi se sistemet e mbrojtjes ajrore dështuan të kapnin dronin.

Sulmi me dron të mërkurën vjen disa ditë pasi Houthit e mbështetur nga Irani qëlluan një dron që u rrëzua në zonën e hoteleve të Eilat, duke rezultuar në dëme materiale, por pa viktima.

Houthit kanë lëshuar raketa dhe dronë mijëra kilometra në veri drejt Izraelit, në atë që grupi i quan akte solidariteti me palestinezët.

Shumica e dhjetëra raketave dhe dronëve të lëshuar janë kapur ose nuk kanë arritur territorin izraelit.

Izraeli është hakmarrë duke bombarduar zonat e kontrolluara nga Houthit në Jemen, përfshirë portin jetësor të Hodeidah.

Houthi-t, të cilët kontrollojnë pjesët më të populluara të Jemenit, kanë sulmuar gjithashtu anije në Detin e Kuq që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023.

Mgid