Rusia i mohoi pretendimet e NATO-s se Moska ka shkelur hapësirën ajrore të aleancës, duke i cilësuar si “histeri”.
Këto deklarata vijnë një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se aleatët duhet të rrëzojnë avionë rusë nëse ata shkelin hapësirën ajrore të tyre.
Shtetet e NATO-s kanë thënë se disa avionë luftarakë dhe dronë rusë kanë shkelur hapësirat ajrore të shteteve evropiane gjatë javëve të fundit, duke e akuzuar Moskën se po teston kufijtë e aleancës ushtarake perëndimore.
“Ne po dëgjojmë një histeri të ekzagjeruar lidhur me pilotët tanë ushtarakë që gjoja po shkelin disa rregulla dhe po shkelin hapësirën ajrore të ndonjë shteti”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se këto pretendime ishin “të pabaza”.
Më 23 shtator, Trump tha se shtetet e NATO-s duhet të rrëzojnë avionët rusë nëse ata shkelin hapësirat e tyre ajrore.
Avionët e NATO-s kanë detektuar tre avionë luftarakë rusë MiG-31 javën e kaluar, pasi ata hynë në hapësirën ajrore estoneze mbi Gjirin e Finlandës.
Më 22 shtator, Danimarka u detyrua të mbyllë një aeroport në Kopenhagë pasi tha se dronë të paidentifikuar detyruan dhjetëra fluturime të anuloheshin apo të ndryshonin itinerarin, duke prekur mijëra pasagjerë.
“Aviacioni ynë ushtarak respekton të gjitha rregullat e fluturimeve, udhëhiqet nga to dhe iu përmbahet në mënyrë të rreptë”, tha Peskov gjatë një konference për media për gazetarët.
NATO tha një ditë më parë se “është ende herët të thuhet” nëse dronët që fluturuan mbi Danimarkë lidhen me shkeljet e fundit të hapësirës ajrore të aleancës nga Rusia.
Incidentet pasojnë inkursionet me dronë në Rumani dhe Poloni. Në Poloni, disa fluturake pa pilot u rrëzuan nga avionët e NATO-s./REL