Sarkozy dënohet me pesë vite burg pasi u shpall fajtor për marrjen e paligjshme të miliona eurove nga Gaddafi

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, është shpallur fajtor për komplot kriminal në lidhje me marrjen e paligjshme të miliona eurove nga ish-udhëheqësi libian Muammar Gaddafi. Gjykata Penale në Paris e liroi nga akuzat e tjera, përfshirë korrupsionin e tërthortë dhe financimin e paligjshëm të fushatës. Sarkozy u dënua me pesë vjet burg dhe duhet të paguajë 100.000 euro.
Sarkozy, i cili pretendon se çështja është e motivuar politikisht, akuzohej se kishte përdorur fondet e marra nga Gaddafi për të financuar fushatën e tij zgjedhore në vitin 2007. Në këmbim, Sarkozy do të ndihmonte Gaddafin të përmirësonte imazhin e Libisë te vendet perëndimore.
Sarkozy shërbeu një mandat si president i Francës, nga viti 2007 deri më 2012.
Ai u akuzua se kishte bërë marrëveshje me Gaddafin në vitin 2005, ndërsa ishte ministër i Brendshëm i Francës. Hetimi u hap në vitin 2013, dy vjet pasi një nga djemtë e Gaddafit e akuzoi për herë të parë Sarkozy-n se kishte marrë miliona euro nga i ati për të financuar fushatën e tij. Një vit më vonë, biznesmeni libian Ziad Takieddine deklaroi se kishte prova me shkrim se fushata e Sarkozy-t ishte financuar nga Tripoli dhe se pagesat, me vlerë të përgjithshme prej 50 milionë euro, kishin vazhduar edhe pasi ai ishte zgjedhur president.
Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2012, Sarkozy ishte objekt i disa hetimeve penale. Në vitin 2021 ai u shpall fajtor për ryshfet ndaj një gjykatësi, duke u bërë ish-presidenti i parë francez i dënuar për vepër penale.