Në kuadër të programit të Seminarit XIX Ndërkombëtar të Albanologjisë, sot në Këndin e Kujtesës “Prof. Dr. Fadil Sulejmani” u zhvillua përurimi i tre botimeve më të fundit të studiuesit dhe profesorit të njohur të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Izmit Durmishi.
Librat e prezantuar para auditorit ishin: “Eufemizmat në të folmet shqipe të Maqedonisë”, “Socioonomastika e Pollogut të Epërm” dhe “Hulumtime gjuhësore”.
Këto botime u mirëpritën ngrohtësisht nga pjesëmarrësit e seminarit, të cilët vlerësuan punën e përkushtuar dhe seriozitetin shkencor të autorit, i cili prej dekadash kontribuon në studimet e gjuhës shqipe, onomastikës dhe sociolinguistikës.
Në këtë ngjarje u paraqitën edhe recensionet e librave të sipërpërmendur. Akademik, Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, në vlerësimin e tij, nënvizon se vepra mbi eufemizmat është ndërtuar mbi hulumtime të gjera në terren dhe literaturë, duke sjellë një qasje universale, e njëkohësisht të lidhur ngushtë me specifikat e shqipes. Sipas tij, Prof. Dr. Izmit Durmishi ka ofruar një kontribut të çmuar në kuptimin gjuhësor, shoqëror dhe kulturor të kësaj dukurie komplekse.
Ndërkaq, Prof. Dr. Begzad Baliu monografinë “Socioonomastika e Pollogut të Epërm” e cilëson si një qasje të re metodologjike në studimet onomastike shqiptare. Ai vë në dukje se kjo vepër bashkon elementë të gjeografisë, dialektologjisë, sociolinguistikës e semantikës dhe sjell një pasuri të madhe toponimesh e antroponimesh, të cilat hedhin dritë mbi historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar në këtë trevë.
Po ashtu, Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu ka veçuar faktin se vepra, me mbi 1200 njësi onomastike të mbledhura nga terreni, është një dëshmi e fortë e autoktonisë shqiptare në Pollog. Sipas tij, puna e profesor Durmishit është e vyer jo vetëm për gjuhësinë shqiptare, por edhe për dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë historike e kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Botimet e fundit të Prof. Dr. Izmit Durmishit përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për albanologjinë, duke e pasuruar më tej fushën e gjuhësisë, onomastikës dhe studimeve shoqërore. Ky promovim dëshmoi edhe një herë se Seminari i Albanologjisë i UT-së mbetet një arenë e rëndësishme shkencore, ku prezantohen dhe diskutohen prurje të reja me vlerë për kulturën dhe shkencën shqiptare.

Mgid