Dimitrieska-Koçoska: Rritje e kthimit të TVSH-së ndaj kompanive, në proces e sipër është edhe procedura e kthimit të tatimit të solidaritetit

TVSH-së ndaj kompanive po kthehet dhe kjo mund të verifikohet përmes përmes të dhënave në Thesarin e Ministrisë së Financave, ndërsa në proces është edhe kthimi i tatimit të solidaritetit ndaj kompanive që kanë kryer pagesën në këtë drejtim, në bazë të zgjidhjes ligjore. Këtë e deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e ftuar në TV21.
“Të dhënat tregojnë qartë se si po kryhet kthimi i TVSH-së. Nga 22 shtatori 2025, kthimi i përgjithshëm i TVSH-së ndaj kompanive arriti në 24.850 miliardë denarë, ndërsa që nga 22 shtatori 2024, kthimi i TVSH-së arriti në 23.559 miliardë denarë, përkatësisht kemi vlerë më të lartë të kthimit për 5.5% ose 1.291 milionë denarë (20 milionë euro) krahasuar me vitin e kaluar”, theksoi ministrja e Financave dhe shtoi se këto janë të dhëna që mund të verifikohen.
Ajo theksoi se nëse ka reagime nga kompani të caktuara, ato mund të jenë kompani që i nënshtrohen kontrolleve nga Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe se Ministria e Financave nuk mund të ndikojë në këtë drejtim. Gjithashtu, deklaroi se DAP-i, me mbështetjen e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Thesarit të SHBA-së, ka zhvilluar indikatorë në bazë të të cilëve konstatohet se cilat kompani janë me rrezik të lartë dhe që duhet të kontrollohen në terren.
Gjatë emisionit, ministrja iu referua edhe procedurës së nisur të kthimit të mjeteve ndaj kompanive që kanë kryer pagesën në këtë drejtim, në përputhje me Ligjin e Tatimit të Solidaritetit.
“Procedura e kthimit të tatimit të solidaritetit ndaj kompanive është në proces e sipër dhe ne po e zbatojmë atë. Ka ende disa kompani që nuk i janë përgjigjur ende pyetjes që ua kemi parashtruar, të cilën paraprakisht e kemi komunikuar ndaj publikut. Përkatësisht, pyetja ishte nëse pajtohen me propozimin e Qeverisë, që rikthimi tatimit të solidaritetit të bëhet në dy transhe, transheja e parë të bëhet në muajin mars të vitit 2026 dhe transheja e dytë në muajin mars të vitit 2027. Një numër i madh kompanish janë përgjigjur dhe pjesa më e madhe e tyre janë pozitive dhe kanë rënë dakord”, theksoi ministrja e Financave.
Ajo shtoi se kthimi i mjeteve, të cilat, siç tha ajo, janë marrë në mënyrë të padrejtë, është përshtatur në përputhje me mundësitë e Buxhetit dhe shprehu mirënjohjen e saj për kompanitë që pranuan propozimin në fjalë.