Janevska: Po inkurajojmë përsosmërinë shkencore përmes qasjes falas në bazën shkencore udhëheqëse Web of Science

Aktiviteti kërkimor është shtylla themelore e zhvillimit të shkencës dhe përparimit të shoqërisë. Kërkuesit kanë rol kyç në krijimin e njohurive të reja përmes hulumtimeve sistematike dhe cilësore, të cilat patjetër duhet të jenë të qasshme dhe të verifikueshme përmes publikimit në revista shkencore recenzuese. Kjo e rrit dukshmërinë e kërkuesve dhe e afirmon reputacionin shkencor të institucioneve, e cila është e rëndësisë vendimtare për avancimin e pozitës akademike të universiteteve tona në listat ndërkombëtare të renditjes dhe për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në promovimin e bashkëpunimit me Clarivate – Web of Science, me të cilën u mundësua përdorimi falas i bazave shkencore të platformës, për të gjitha universitetet shtetërore, ASHAM dhe Universitetin e Evropës Juglindore.
“Ky është përfitim i madh për komunitetin tonë akademik, pasi mundëson qasje në punimet shkencore më të njohura, monitorimin e kërkimeve aktuale dhe trendeve shkencore, publikimin e revistave me faktor të lartë ndikimi, si dhe lidhjen me komunitetin shkencor global. Kjo do të rezultojë në rritjen e dukshmërisë së studiuesve tanë, mundësi më të madhe për citime dhe ndikim të drejtpërdrejtë në renditjen e universiteteve tona në Listën e Shangait. Ndër kriteret e marra parasysh në renditje janë numri dhe cilësia e punimeve të publikuara, citimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Analizat tregojnë se për të arritur në renditje rreth vendit të 1000 në Listën e Shangait, është e nevojshme që çdo vit të publikohen mbi 1200 punime në Web of Science. Universitetet tona publikojnë numër shumë më të vogël punimesh çdo vit”, tha ministrja.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdimisht i mbështet profesorët, kërkuesin dhe studentët, që të krijojnë punime me cilësi të lartë dhe t’i publikojnë në revista prestigjioze ndërkombëtare, përmes mbulimit të shpenzimeve të publikimit, shpërblimeve financiare për punime të publikuara me faktor ndikimi, financimit të projekteve shkencore-kërkimore, si dhe mbështetjes për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare dhe promovimit të bashkëpunimit përmes punimeve të përbashkëta me universitete të huaja.
“Mbështetja sistematike dhe motivimi i kërkuesve për krijimin, kërkimin dhe publikimin është kyçe për ruajtjen dhe avancimin e shkëlqimit akademik. Nëse të gjithë — institucionet, individët dhe komunitet — i përkushtohemi përsosmërisë shkencor, jo vetëm që do ta përmirësojmë pozitën tonë në listat ndërkombëtare të renditjes, por edhe do të ndërtojmë shoqëri të bazuar në dije, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm”, theksoi Janevska, duke shtuar se me fokus te cilësia, ndërsa jo vetëm te sasia, si dhe me shfrytëzimin maksimal të mjeteve si Web of Science, mund të ndërtojmë sistem që do të na udhëheqë drejt pozitës më të lartë në hartën akademike botërore.
Platforma është në dispozicion për shkencëtarët, kërkuesit dhe studentët nga universitetet shtetërore nga muaji korrik i këtij viti, kur edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe kompania Clarivate, e cila e posedon Web of Science, nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë.