Bujar Osmani me përgjigje për skeptikët: Nuk ekziston çështje që nuk mund të zgjidhet kur punon me 100% përkushtim

“Dëgjoj disa që thonë: Bujari është politikan i politikës së lartë, nuk e njeh Çairin, nuk ka pasur përvojë në pushtetin lokal. Por të njëjtën gjë e thoshin edhe kur u bëra zëvendësministër për çështje evropiane dhe kur i fillova negociatat për emrin. Më thoshin se jam mjek dhe nuk e njoh këtë çështje, ndërsa sot, Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s,” deklaroi Bujar Osmani në takimin e sotëm me qytetarët në Çair.
Osmani kujtoi se gjatë gjithë karrierës së tij është përballur me skepticizëm, por gjithmonë ka treguar se kur një punë e pranon si sfidë, i përkushtohet plotësisht dhe sjell rezultate.
“Kur u bëra ministër i punëve të jashtme më thoshin: nuk mund ta zgjidhësh problemin me Bullgarinë. Por ia dola. Kjo është një mësim se nëse punën e pranon me 100% përkushtim, nuk ka çështje të pazgjidhshme,” tha Osmani.
Ai theksoi se tre muajt e kaluar ka punuar intensivisht dhe çdo ditë në terren në Çair, duke i njohur personalisht të gjitha problemet dhe nevojat e qytetarëve.
“Që në orën pesë të mëngjesit ecë në këmbë në çdo rrugë të Çairit. E di çdo gropë, çdo dritë që nuk punon, çdo problem që më kanë paraqitur qytetarët e di përmendësh. Ky është natyrshëm karakteri im: kur kapem për diçka, hyj me gjithë kapacitetin tim,” deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, Osmani dërgoi një mesazh të qartë politik:
“Çairi kërkon ndryshim. Ndryshim që do të sjellë energji të re, qasje të re, forcë të freskët. Nuk mund ai që për 20 vite e ka kthyer komunën në zonë interesash, tani të vijë e të thotë se është zgjidhja. Nëse për 20 vite ke qenë pjesë e problemit, nuk mund të jesh pjesë e zgjidhjes.”
Me përkushtim të fortë personal dhe me vizion të qartë, Osmani theksoi se Çairi është sfida e tij e re dhe se këtë herë, ndryshimi nuk do të mbetet vetëm fjalë, por do të bëhet realitet.