Një juri federale në shtetin amerikan të Virxhinias ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, me dy akuza të lidhura me dëshminë e tij në Kongres, raporton BBC transmeton “Bota sot”.
Z. Comey, i cili prej kohësh është kritikuar nga presidenti amerikan Donald Trump, akuzohet se ka gënjyer Kongresin gjatë dëshmisë së tij në shtator 2020, në lidhje me atë nëse ai kishte autorizuar rrjedhjen e informacionit të klasifikuar në media.
Duke reaguar ndaj aktakuzës, z. Comey u deklarua i pafajshëm dhe tha se kishte “besim të madh në sistemin gjyqësor federal”.
Aktakuza vjen disa ditë pasi Trump u bëri thirrje zyrtarëve më të lartë të zbatimit të ligjit në vend, përfshirë Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi, që të hetojnë më me agresivitet kundërshtarët e tij politikë, përfshirë edhe z. Comey.
Hetimi po udhëhiqet nga Lindsey Halligan, Prokurorja e Shteteve të Bashkuara për Distriktin Lindor të Virxhinias, e cila më parë ka qenë avokate personale e Trump-it dhe e mori detyrën e re të hënën.
Seanca e parë ndaj Comeyt – ku akuzat i lexohen zyrtarisht para të pandehurit në gjykatë – është caktuar për mëngjesin e 9 tetorit në Aleksandri, Virxhinia, në orën 10:00 me kohën lokale (14:00 GMT), raporton CBS, partneri amerikan i BBC-së.
Bondi tha në një deklaratë se aktakuza “reflekton përkushtimin e Departamentit të Drejtësisë për t’i mbajtur përgjegjës ata që abuzojnë me pushtetin, duke mashtruar popullin amerikan”.
Z. Comey është akuzuar për një pikë për “dhënie deklaratash të rreme” dhe një tjetër për “pengim të drejtësisë”.
Deklaratat e rreme të supozuara lidhen me pohimin para një senatori të Komitetit Gjyqësor të Senatit se ai nuk kishte “autorizuar dikë tjetër në FBI që të ishte burim anonim në raportimet mediatike” lidhur me një hetim të FBI-së, që besohet të ketë qenë hetimi për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.