Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE do të propozojë një “rezolutë maqedonase” në Kuvend, me qëllim mbrojtjen e interesave kombëtare të vendit. Deklarata e tij erdhi si reagim ndaj rezolutës së prezantuar nga lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, e cila ka për qëllim përcaktimin e pozicioneve shtetërore në raport me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përcjell INA.

Mickoski kritikoi ashpër tekstin e propozuar nga LSDM, duke e cilësuar si të mbushur me “pasaktësi historike dhe falsifikime”. Si shembull, ai përmendi një pretendim në preambulën e dokumentit, që sipas tij, thotë se gjuha maqedonase është pranuar si zyrtare në Kombet e Bashkuara në vitin 2019 – çka e quajti “gënjeshtër monstruoze”. Ai theksoi se gjuha maqedonase është pranuar në OKB që në kohën e ish-Jugosllavisë, dhe se këtë vit shënohet 80-vjetori i kodifikimit të saj.

Kryeministri përmendi edhe pasaktësi të tjera në dokument, përfshirë referenca të pavërteta për statusin ndërkombëtar të vendit në vitet 2005 dhe 2009, kur, siç tha ai, Maqedonia njihej si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Ai gjithashtu kritikoi përmendjen e kritereve të Kopenhagës bashkë me citimin e marrëveshjeve bilaterale me Greqinë dhe Bullgarinë, duke i cilësuar si elemente që nuk përputhen mes vete, përcjell INA.

Mickoski tha se VMRO-DPMNE do ta përdorë këtë draft si bazë për hartimin e një rezolute të re, përmes komisioneve parlamentare, që do të reflektojë sipas tij “interesin real shtetëror dhe kombëtar”. Ai akuzoi Filipçen dhe drejtuesit e mëparshëm të LSDM-së se, sipas tij, kanë vepruar në dëm të interesave kombëtare.

Ndërkohë, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, prezantoi më herët gjatë ditës rezolutën e propozuar, e cila sipas tij fokusohet në dy parime thelbësore: respektimi i paprekshëm i gjuhës, identitetit, historisë dhe kulturës së popullit maqedonas si çështje jo të negociueshme me BE-në, dhe gatishmëria për të përmbushur detyrimet nga kuadri negociues pa pranuar kushte të reja me karakter bilateral apo identitar.

Dokumenti përfshin gjithashtu një kornizë kohore për ndryshimet kushtetuese të kërkuara në kuadër të negociatave me BE-në. Sipas rezolutës, Qeveria duhet të shqyrtojë amendamentet e vitit 2023 për përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera etnike në Kushtetutë midis 15 dhe 25 nëntorit 2025, dhe të vendosë nëse do të qëndrojë pas versionit ekzistues apo do të propozojë një tekst të ri. Nëse miratohet një version i ri, ai duhet të dorëzohet në Kuvend deri më 1 dhjetor. Kuvendi do të duhet të nisë procedurën deri më 15 dhjetor dhe të përfundojë votimin final për ndryshimet kushtetuese më së voni deri më 10 shkurt 2026.

Rezoluta është paralajmëruar nga LSDM si një përpjekje për të përcaktuar “vijat e kuqe” në procesin e integrimit evropian dhe për të garantuar ruajtjen e interesave kombëtare brenda kornizës së negociatave me Bashkimin Evropian.

Mgid