Bajram Rexhepi: Nuk do lejojmë tetovarët të përfundojnë në “Izvershitella” nga Saubermacheri (VIDEO)

Kandidati i AKI për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj kontratës 15-vjeçare të Komunës së Tetovës me kompaninë private Saubermacher. Në një paraqitje publike, ai tha se kjo marrëveshje ka dërguar mbi 10.000 familje tetovare në procedura përmbarimi, duke i rënduar me fatura të larta dhe shpenzime avokatësh e noterësh informon Tetovasot.
Rexhepi theksoi se pas zgjedhjeve të 19 tetorit, kontrata do të shfuqizohet dhe pagesa për shërbimet e mbeturinave do të bëhet sipas numrit të banorëve dhe jo sipas sipërfaqes së banesave.
Fjalimi i plotë i kandidatit të AKI për Tetovën Bajram Rexhepi:
Sot jam përpara jush për të shpalosur një nga skandalet më të mëdha me paratë publike në Tetovë – kontratën 15-vjeçare me kompaninë private Saubermacher, të nënshkruar më 29 dhjetor 2022 nga kryetari aktual.
Kjo kontratë është përplot me dispozita të dëmshme për Tetovën dhe tetovarët:
Në kontratën e nënshkruar me Saubermacher, afati i marrëveshjes është vendosur për plot 15 vjet. Kjo do të thotë se qyteti mbetet peng i një operatori të vetëm, pa asnjë mundësi rivlerësimi apo korrigjimi të kushteve gjatë gjithë kësaj periudhe.
Për më tepër, pasuria publike e qytetit, 16 kamionë, 2 ekskavatorë dhe pajisje të tjera me vlerë mbi 590,000 € – iu dhanë kompanisë private me qira për vetëm 1,600 € në muaj. Një çmim qesharak krahasuar me vlerën reale të këtyre mjeteve.
Edhe më skandaloze është klauzola e koncesionit: komuna merr vetëm 1% të faturimit mujor. Në terma të thjeshtë, kjo do të thotë se nëse qytetarët e Tetovës paguajnë 1,000,000 euro fatura, vetëm 10,000 euro shkojnë në arkën e komunës, ndërsa 990,000 euro përfundojnë në xhepat e koncesionerit privat.
Dhe për ta përmbyllur, me vendim të menaxhmentit komunal, qytetarët sot paguajnë për mbeturinat në bazë të hapësirës të banesave dhe shtëpive, e jo sipas metodologjisë për kokë banori. Kjo ka bërë që shumë familje të ngarkohen me fatura 2 deri në 3 herë më të larta, pa marrë në këmbim shërbime më cilësore.
Si rezultat i kësaj kontrate sot mbi 10.000 familje tetovare janë në procedura përmbarimi. Çdo familje është ngarkuar mesatarisht me mbi 30 euro për shpenzime të avokatëve dhe noterëve, që do të thotë se mbi 300.000 euro po zhvaten nga buxheti i çdo familjeje.
Të dashur qytetarë,
Tetova nuk shitet e as blihet. Më 19 tetor i japim fund kësaj praktike të shfrytëzimit të qytetarëve dhe i japim fund çdo kontrate që dëmton interesin publik.
Kjo kontratë do të shfuqizohet. Gjithashtu do ta ndryshojmë metodologjinë e faturimit. Qytetarët nuk do të paguajnë më sipas sipërfaqes së banesave apo shtëpive të tyre, por për kokë banori në amvisëri, në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Është e patolerueshme që paratë e taksapaguesve tetovarë të përfundojnë në xhepa privat. Koha e politikave të papërgjegjshme po merr fund.
Tetova dhe tetovarët do të paguajnë më pak, do të marrin shërbime më të mira, dhe paratë publike do të kthehen aty ku e kanë vendin, për Tetovën dhe për tetovarët.