Aliu: Vazhdojmë me investime në shëndetësi – modernizimi i sallës hibride në Klinikën Shtetërore të Kardiokirurgjisë, e vetmja e këtij lloji në vend dhe në rajon

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryeministrin e Qeverisë, prof. dr. Hristijan Mickoski dhe drejtorin e Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, sot vizituan Klinikën Universitare të Kardiokirurgjisë Shtetërore, me rastin e promovimit të modernizimit të sallës hibride në këtë institucion, e cila është e vetmja e këtij lloji në rajon.
-Vazhdojmë me investime nga aspekti infrastrukturor dhe teknik. Sot jemi këtu për promovimin e sallës hibride, e cila është e vetmja sallë hibride operacionale në vendin tonë dhe më gjerë në rajon. Bëhet fjalë për aparatura moderne që mundësojnë diagnostikim, anamnezë, ndërhyrje dhe më pas ndjekje të gjendjes shëndetësore të pacientit gjatë ndërhyrjeve kardiokirurgjikale, theksoi ministri Aliu.
Me tomografin e ri kompjuterik, për të cilin janë siguruar mjete nga Ministria e Shëndetësisë në vlerë prej 2 milionë eurosh, të pajisur me softuerët më bashkëkohorë, janë krijuar kushte me të cilat shteti ynë renditet ndër qendrat kryesore në këtë fushë. Softuerët e angiografit dhe tomografit janë plotësisht komplementarë dhe mundësojnë standardin më të lartë në trajtimin endovaskular.